Bekteshi: Problemi i qenve endacakë në Strugë kërkon zgjidhje urgjente dhe konkrete

Këshilltari komunal Shkëlzen Bekteshi ka ngritur shqetësimin për problemin e qenve endacakë në Strugë, duke theksuar nevojën për një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme.

Sipas Bekteshit, kjo çështje lidhet jo vetëm me sigurinë e qytetarëve, por edhe me imazhin e Strugës, veçanërisht në një periudhë kur qyteti pret një numër të madh turistësh.

Ai thotë se konsultimet dhe komunikimi me qytetarët kanë konfirmuar nevojën që problemi të trajtohet sa më shpejt, ndërsa mënyra e zgjidhjes duhet të përcaktohet përmes propozimeve të mirëpërgatitura.

Bekteshi kërkon që procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në funksion të interesit të përgjithshëm.

“Si këshilltar, besoj se kur interesi i qytetit e kërkon, duhet të tregohemi konstruktivë dhe të marrim përgjegjësi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, qytetarët presin veprime konkrete dhe një zgjidhje përfundimtare të problemit të qenve endacakë në Strugë.