PROF. DR. PETRIT POLLOZHANI: AEROPORTI I OHRIT – PASQYRË E DISKRIMINIMIT KOMBËTAR
Shkruan: Prof. Dr. Petrit Pollozhani
Para dy ditësh, nga Aeroporti i Ohrit udhëtova drejt Cyrihut. Në aeroport, si zakonisht, mbi 90 për qind e udhëtarëve ishin shqiptarë.
Krahasuar me udhëtimin tim të fundit, para rreth tre vitesh, vërejta se shumëçka kishte ndryshuar. Atëherë, njoftimet dhe informacionet lidhur me rregullat e udhëtimit ishin të shkruara në maqedonisht, anglisht dhe shqip. Edhe komunikimi zhvillohej në këto tri gjuhë.
Sot, përshtypja ime është krejt tjetër. Pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së në pushtet, gjuha shqipe pothuajse është zhdukur nga aeroporti. Më ranë në sy edhe punësimet e reja dhe, nga ajo që munda të vërej gjatë qëndrimit tim aty, punonjësit e rinj dukeshin kryesisht të etnisë maqedonase.
Nëse kjo gjendje është rezultat i një politike institucionale, atëherë Aeroporti i Ohrit po shndërrohet në një pasqyrë shqetësuese të diskriminimit kombëtar.
Çfarë mendësie politike është kjo?
Një populli autokton, me një pjesëmarrje të konsiderueshme në popullsinë e vendit, nuk mund t’i reduktohet përdorimi publik i gjuhës amtare. Në shtetet demokratike, të drejtat e fituara nuk duhet të zvogëlohen; përkundrazi, standardet demokratike synojnë zgjerimin dhe forcimin e tyre.
Kontrasti u bë i dukshëm sapo hymë në aeroplan. Kompania ajrore zvicerane komunikonte me udhëtarët në anglisht, gjermanisht dhe shqip. Kur arritëm në Zvicër, komunikimi institucional zhvillohej në gjuhët zyrtare të vendit.
E njëjta çështje vërehet edhe në Maqedoninë e Veriut. Në sinjalistikën e re rrugore përgjatë aksit Kërçovë–Strugë, në shumë raste nuk shihen emërtimet në gjuhën shqipe, pavarësisht pranisë së madhe të popullsisë shqiptare në këto zona.
Kosova mund të merret si një shembull tjetër: megjithëse komuniteti serb përbën një pjesë të vogël të popullsisë, gjuha serbe gëzon status zyrtar në nivel shtetëror.
Gjuha, para së gjithash, është mjet komunikimi. Pikërisht nga ky parim u nisën edhe organizatorët gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit në Gjermani, ku në qytetet ku luante Kombëtarja shqiptare, një pjesë e informacioneve për tifozët ofroheshin edhe në gjuhën shqipe.
Prandaj lindin disa pyetje serioze:
Pse Maqedonia e Veriut nuk avancon më fuqishëm drejt standardeve demokratike evropiane? Përse votat kërkohen duke prekur çështje që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, në vend që konkurrenca politike të zhvillohet përmes ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit?
Dhe ku është partneri shqiptar në Qeveri?
Pse VLEN hesht? Pse nuk e ngre zërin kur ekziston perceptimi se po reduktohet një e drejtë e fituar?
Po aq serioze është edhe çështja e ligjit për përfaqësimin e drejtë. Një ligj që synon përfaqësimin e drejtë duhet të ketë mekanizma të qartë, të matshëm dhe efektivë që garantojnë se asnjë komunitet nuk diskriminohet. Debati për kuotat dhe mekanizmat e përfaqësimit nuk mund të anashkalohet sikur të ishte një çështje dytësore.
Pa kritere dhe garanci efektive, ekziston rreziku që përfaqësimi i drejtë të mbetet vetëm deklarativ.
BDI nuk i ka përmbushur pritshmëritë e mia dhe në shumë raste nuk jam pajtuar me politikat e saj. Megjithatë, një gjë nuk mund t’i mohohet: për një periudhë të gjatë ajo ka pasur mbështetje të konsiderueshme elektorale brenda kampit politik shqiptar.
VLEN, nga ana tjetër, për mua paraqet një zhgënjim edhe më të madh, veçanërisht për mënyrën se si po trajtohen çështjet që prekin të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve.
E theksoj: nuk jam anëtar dhe as simpatizues i asnjë partie politike.
Problemi ynë është më i thellë. Shpesh partitë shqiptare, derisa janë në opozitë, flasin fuqishëm për interesin kombëtar dhe të drejtat e shqiptarëve. Por sapo bëhen pjesë e pushtetit, këto çështje zbehen dhe interesat politike e personale dalin në plan të parë.
Të drejtat gjuhësore dhe përfaqësimi i drejtë nuk duhet të varen nga ajo se kush është në pushtet. Ato duhet të jenë standard demokratik dhe institucional i një shteti që pretendon se synon integrimin evropian.
Prof. Dr. Petrit Pollozhani
