Mickoski: Eurostat demanton opozitën, Maqedonia e Veriut ka fuqinë blerëse më të lartë në rajon

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se raporti më i fundit i Eurostatit për fuqinë blerëse të qytetarëve hedh poshtë pretendimet e opozitës, duke theksuar se vendi renditet përpara të gjitha shteteve të rajonit sipas këtij treguesi.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve për financimin e segmentit hekurudhor Kriva Pallankë – Deve Bair, Mickoski u përgjigj ndaj kritikave të opozitës lidhur me raportin e Eurostatit.

“Ditëve të fundit pati mesazhe nga opozita dhe disa media pranë saj, të cilat zhvilluan një fushatë të cekët. Ajo u demantua sërish, sepse Maqedonia nuk është vendi më i dobët, por është përpara disa shteteve të Bashkimit Evropian dhe para të gjitha vendeve të rajonit kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse të qytetarëve”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se, krahasuar me tre ose katër vite më parë, vendi ka shënuar përparim të dukshëm ekonomik, megjithëse pranoi se ende ka shumë punë për të bërë.

“Kur krahasohen shifrat me ato të para tre apo katër viteve, vërehet një përparim i rëndësishëm. A është i mjaftueshëm? Jo. A do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë? Absolutisht. Jemi më të motivuar se kurrë për ta përmirësuar standardin e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit”, u shpreh kryeministri.

Sipas Mickoskit, ndërsa opozita, siç tha ai, do të vazhdojë të ndërtojë narrativa mbi “konstruksione dhe gënjeshtra”, Qeveria do të vazhdojë të fokusohet në realizimin e projekteve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.