Sistemi “Qyteti i Sigurt” nga sot në funksion në Debërcë, së shpejti edhe në Ohër

Nga sot janë vënë në funksion kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” në një pjesë të komunës së Debërcës, ndërsa së shpejti do të fillojnë të funksionojnë edhe në Ohër

Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se, pas përfundimit të testimeve finale, janë vënë në funksion kamerat e sigurisë të sistemit për mbikëqyrjen e trafikut “Qyteti i Sigurt” në segmentin e autostradës ndërmjet fshatrave Gorenicë dhe Trebenishtë, në komunën e Debërcës.

Së shpejti, kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” do të jenë funksionale edhe në rrugët e Ohrit dhe rajonit përreth, ku pajisjet tashmë janë instaluar dhe po përfundon kontrolli teknik dhe testimi i tyre.

Sistemi “Qyteti i Sigurt” do të mundësojë kontroll më të rreptë dhe të vazhdueshëm të trafikut, zbulimin e shkeljeve të rregullave të komunikacionit, rritjen e disiplinës në trafik dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në rrugë. Gjithashtu, pritet që zbatimi i këtij sistemi të kontribuojë në uljen e numrit të aksidenteve rrugore.

MPB i bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta në të gjithë vendin.