Kallëzim penal ndaj punonjësit të Universitetit të Tetovës, dyshohet se përvetësoi mbi 3.3 milionë denarë nga pagesat e studentëve

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë ndaj një punonjësi të Universitetit të Tetovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas Policisë Financiare, i denoncuari A.Z., i punësuar si bashkëpunëtor i lartë për logjistikë dhe punë në terren, gjatë periudhës mars 2020 – shkurt 2023, dyshohet se ka përvetësuar paratë që studentët ia kishin dorëzuar për pagesa të participimit, bashkëfinancimit dhe shpenzimeve të tjera të studimeve.

Në vend që t’i depozitonte mjetet në llogarinë e universitetit përmes platformës E-pay, ai dyshohet se i ka mbajtur për vete, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 3.362.272 denarë. Për të njëjtën shumë, sipas kallëzimit, i është shkaktuar dëm financiar Universitetit të Tetovës.

Për të fshehur veprën, ai dyshohet se ka përgatitur dëshmi të falsifikuara për pagesa, të cilat ua ka dorëzuar studentëve si prova se pagesat ishin kryer.

Sipas hetimeve, për falsifikimin e dokumenteve ai ka përdorur të dhëna dhe kodin QR nga një dëshmi reale pagese përmes E-pay, më pas duke ndryshuar emrin e paguesit, shumën dhe datën e pagesës. Studentët, duke besuar se pagesat ishin realizuar, i kanë dorëzuar këto dokumente në sistemin elektronik të universitetit dhe në shërbimin studentor.