Kuvendi i Maqedonisë së Veriut rikujtoi Masakrën e Srebrenicës. Ish deputeti Ferid Muhiq tha se gjenocidi nuk ka mbaruar me Srebrenicën, se ka pasur edhe disa të tillë pas saj dhe se secili popull duhet të jetë gati, që siç tha, të mos gjendemi në gjumë.
“Gjenocidi nuk është diçka që ndodh, gjenocidi bëhet. Nuk ka ndodhur që dikush të thuhet se ka vdekur, nëse i njëjti është vrarë. Që dikush të mos bëjë asgjë ndaj askujt, mos shpresoni. Mos shpresoni, prej atëherë janë kryer sa të doni, 2 vite pamë gjenocid çdo ditë në televizor, kot luteni të mos ndodh, ka ndodhur, ndodh dhe do të ndodh. Episodet e tilla janë të pashlyeshme por duhet ta rikujtojmë se çfarë njeriu mund të bëjë dhe të përgatitemi për çfarëdo rasti, secili popull të jetë gati, që të mos e gjejnë ta quaj kështu në gjumë. Nuk ka mënyrë tjetër të besohet se nuk do ta bëjë askush mbi askënd një gjë të tillë” deklaroi ish deputeti, Ferid Muhiq.
Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se Srebrenica është vula e zezë e ndërgjegjes së njerëzimit, ndërsa përkujtimi i atyre mijëra viktimave është thirrje për reflektim, drejtësi e përgjegjësi dhe përpjekje që të mos lejohet që Srebrenica të përsëritet.
“Korriku i vitit 1995, është data famëkeqe ku u vranë mbi 8000 njerëz, e ndërsa faji i tyre i vetëm, në thonjëza, ishte përkatësia e tyre etnike dhe fetare, boshnjak myslimanë. Aty ku përfundoi jeta e tyre, mori formë një tragjedi njerëzore, një gjenocid”- tha numri një i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gjatë seancës së Komitetit për Marrëdhënie mes bashkësive, autoritetet e cilësuan ngjarjen e 11 korrikut të 1995, si krimin më të madh të njerëzimit. Gjenocidi i Srebrenicës, ndodhi në korrik të vitit 1995 gjatë luftës në Bosnje. Forcat serbe, nën komandën e Ratko Mlladiq, vranë më shumë se 8.000 djem dhe burra boshnjakë, myslimanë./ Alsat.mk
