Policia shqiptare arrestoi në Durrës dy persona të kërkuar nga Interpoli për vepra të rënda penale në Maqedoninë e Veriut

Policia e Shqipërisë ka finalizuar një operacion ndërkombëtar në Durrës, ku janë arrestuar dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim nga Interpoli për vepra të rënda penale. Sipas policisë, të arrestuarit janë Musa Xhavit, 26 vjeç, nga Shkupi, dhe Senafi Nuredini, 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

“Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Policia e Shtetit, Shqipëri.

Sipas policisë së Shqipërisë, gjatë kontrollit të personave të arrestuar janë gjetur dokumente identifikimi të falsifikuara të cilat dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në vend.

I dyshuari Musa Xhavit, 26 vjeç nga Shkupi, siçka raportuar më herët Alsat, akuzohet për vrasjen e oficerit të ARM-së. Ai më herët kishte vuajtur dënim me burg për armëmbajtje pa leje, ndërsa pas lirimit, sipas MPB-së, ishte përfshirë në rrjetet e grupeve kriminale që viteve të fundit ishin cak i hakmarrjeve dhe vrasjeve spektakulare në Shkup.

Në vijim të operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi nga Maqedonia e Veriut, Xh. R., 26 vjeç, i dyshuar se u ka siguruar dy personave të kërkuar dokumentet false të identifikimit.

Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa./Alsat.mk