Mickoski: Maqedonia vazhdon me reformat, forcimin e ekonomisë, institucioneve dhe sundimit të ligjit

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë takimit me eurokomisioneren për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke vazhduar zbatimin e reformave dhe forcimin e institucioneve informon Tetovasot.

Ai tha se takimi ishte një mundësi për një bisedë të hapur dhe thelbësore mbi perspektivën evropiane të vendit, reformat në zhvillim dhe nevojën që procesi i zgjerimit të BE-së të mbetet i bazuar në besim, parashikueshmëri, trajtim të barabartë dhe respekt për dinjitetin e çdo shteti kandidat.

Sipas Mickoskit, gjatë dy viteve të fundit qeveria ka dëshmuar se reformat nuk janë vetëm premtime politike, por punë konkrete që maten me rezultate, ndryshime institucionale, tregues ekonomikë dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.

“Synimi ynë është ndërtimi i institucioneve funksionale, forcimi i sundimit të ligjit, administratë publike më efikase, ekonomi konkurruese dhe një klimë që rrit besimin e qytetarëve dhe investitorëve”, deklaroi ai.

Mickoski theksoi se këto reforma nuk zbatohen vetëm për shkak të kërkesave të Bashkimit Evropian, por sepse janë në interes të zhvillimit të vendit dhe të krijimit të institucioneve të qëndrueshme për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që vendi merr nga Komisioni Evropian, si në aspektin profesional ashtu edhe financiar, duke vlerësuar se kjo ndihmë kontribuon në realizimin më të shpejtë dhe më cilësor të reformave.

Njëkohësisht, kryeministri theksoi se pret që procesi i integrimit evropian të mbështetet në kritere të qarta dhe në përmbushjen e reformave, e jo të kushtëzohet nga çështje dypalëshe që, sipas tij, krijojnë pasiguri për qytetarët.

Ai rikujtoi se qytetarët prej vitesh kanë mbështetur orientimin evropian të vendit dhe kanë pranuar vendime të vështira me bindjen se çdo kriter i përmbushur do të vlerësohej në mënyrë objektive dhe të parashikueshme.

Në fund, Mickoski ritheksoi se qeveria do të vazhdojë me reformat, forcimin e ekonomisë, institucioneve dhe sundimit të ligjit, duke shtuar se çdo zgjidhje e qëndrueshme në procesin e integrimit duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë, mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe një perspektivë të qartë evropiane.