Për të 35-ën ditë radhazi në sheshin përpara Kryeministrisë dje në Tiranë u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Protestuesve ju bashkua sërish një pjesë e diasporës.
Qeveria nuk ka trajtuar pesë kërkesat e paraqitura nga protestuesit, ku kushti kryesor mbetet largimi i kreut të qeverisë. Ajo ka shprehur gatishmëri për dialog me “protestuesit e vërtetë”, duke përjashtuar, sipas saj, grupet e ndikuara ose të financuara nga vende armiqësore ndaj Shqipërisë.
Rama në një intervistë për median e njohur gjermane ZDF tha “Nuk mund t’i them jo 4 miliardëve”. Ai shton se investimi në Zvërnec do të realizohet.
“Nuk mund t’i themi thjesht jo një investimi me vlerë mbi katër miliardë euro. Dhe nëse rezultati përfundimtar nuk është i kënaqshëm, atëherë nuk do të vazhdojmë me të,” deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Ditët e fundit, protesta ka marrë karakter më të ashpër, duke përfshirë edhe incidente dhune përpara zonës së Kuvendit. Dhjetëra protestues janë ndaluar nga policia kurse për disa prej tyre është shqiptuar edhe masa e paraburgimit. Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar reagimin e policisë si joproporcional, ndërsa një pjesë e protestuesve janë distancuar nga aktet e dhunës.
Mbrëmjen e djeshme, pas tubimit paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protesta mori një karakter agresiv pas marshimit deri në komisariatin numër 3.
Një numër i konsiderueshëm protestuesish, u vendosën përpara këtij institucioni të Policisë së Shtetit për shkak se aty ndodhen një pjesë e të arrestuarve pas incidenteve të ndodhura të enjten. Gjatë qëndrimit para komisariatit, disa protestues, një pjesë të cilëve të maskuar, kanë sulmuar vandalisht ambientet e komisariatit, duke thyer xhamat dhe orendi që ndodheshin në koridor.
Pas shkatërrimit, policia ndërhyri me makinën e ujit dhe me forca të shumta dhe situata u qetësua shpejt. Kanë nisur hetimet për identifikimin e protestuesve të dhunshëm, teksa priten arrestime të tjera. /Alsat.mk
