Për saktësisht dhjetë ditë, Maqedonia e Veriut pritet të ketë një përbërje të re qeveritare. Pasditen e sotme, në Kuvend mbërriti propozimi i nënshkruar nga kryeministri Hristijan Mickoski për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të Qeverisë, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, caktoi menjëherë seancën për të hënën, më 13 korrik, në orën 11:00.
Në seancë fillimisht do të shkarkohen tetë ministra aktualë dhe dy zëvendësministra të përfshirë në rikonstruimin e Qeverisë së kryeministrit Mickoski, e më pas deputetët do të votojnë për tetë ministrat e rinj të propozuar.
Për anëtarë të rinj të Qeverisë janë propozuar:
Jeton Shasivari për ministër të Drejtësisë;
Agon Ferati për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive;
Sedat Sulejmani për ministër të Kulturës dhe Turizmit, i cili deri më tani ushtronte funksionin e zëvendësministrit – të tre nga koalicioni VLEN;
Borçe Serafimovski nga ZNAM, për ministër të Bujqësisë;
nga VMRO-DPMNE, Sasho Klekovski për ministër të Shëndetësisë, Gjoko Velkovski për ministër të Politikës Sociale, i cili deri më tani ishte zëvendësministër, si dhe Erxhan Demir për ministër pa resor, i ngarkuar për integrimin e romëve;
ndërsa Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve, i cili deri më tani ishte ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, propozohet për ministër të Vetëqeverisjes Lokale.
Paraprakisht do të shkarkohen ministrat aktualë: Igor Fillkov (Drejtësi), Cvetan Tripunovski (Bujqësi), Azir Aliu (Shëndetësi), Fatmir Limani (Politikë Sociale), Zllatko Perinski (Vetëqeverisje Lokale), Zoran Ljutkov (Kulturë) dhe Shaban Saliu, ministër pa resor.
Dy ditë më parë, kryeministri Mickoski deklaroi se me këtë rikonstruim do të shfuqizohet resori për Qeverisje të Mirë, nga i cili muajin e kaluar dha dorëheqje ministri Arben Fetai, pas disa muajsh mungese në punë. Sipas Mickoskit, ky resor do të kalojë nën kompetencat e drejtpërdrejta të kabinetit të kryeministrit.
Mickoski njoftoi gjithashtu se Partia Demokratike e Turqve do t’i bashkohet koalicionit me VMRO-DPMNE-në dhe do të marrë një post ministri pa resor.
