Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se vetëm pesë muaj pas vendosjes në funksion të sistemit “Qyteti i Sigurt”, numri i viktimave në aksidentet e trafikut është ulur me 40 për qind.
Gjatë prezantimit të raportit për punën e bërë në dy vitet e fundit, Toshkovski tha se nga 2 shkurti deri më 22 qershor 2026 janë regjistruar 33 viktima në komunikacion, krahasuar me 55 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas tij, nga fillimi i zbatimit të sistemit më 2 shkurt e deri më 22 qershor, përmes “Qytetit të Sigurt” janë evidentuar mbi 120 mijë shkelje të rregullave të trafikut, ndërsa më shumë se 95 për qind e tyre kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
“‘Qyteti i Sigurt’ ishte një projekt për të cilin flitej me vite, ndërsa ne e realizuam. Projekti përfshiu modernizimin e sistemit ekzistues në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10, si dhe zgjerimin e tij në nivel kombëtar përmes teknologjive moderne të videombikëqyrjes dhe zbulimit automatik të shkeljeve në komunikacion”, tha Toshkovski.
Ai shtoi se, sipas dinamikës së paraparë, deri në fund të vitit 2026 sistemi “Qyteti i Sigurt” pritet të implementohet plotësisht në të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë qytetet më të mëdha dhe rrugët kryesore, me synimin për të krijuar një sistem modern, efikas dhe parandalues për rritjen e sigurisë në komunikacion. përcjell Zhurnal.mk .
