Agrometeorologët apel bujqve: Ujitni kulturat, temperaturat po rrisin nevojën për ujë

Bujqit duhet të ujitin sipërfaqet, veçanërisht kulturat pranverore dhe industriale, por edhe të kryejnë lërim të cekët (kultivim) të tokës për të ruajtur lagështinë dhe për të parandaluar formimin e kores, rekomandojnë agrometeorologët.

Siç thonë, në kushtet aktuale verore të motit me temperatura të larta, duhet të ndërmerren masa edhe për shkatërrimin e barërave të këqija, si dhe për mbrojtjen e bimëve nga paraqitja dhe zhvillimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve.

“Kjo është periudhë kur nevojat për ujë të të gjitha kulturave bujqësore janë të mëdha dhe të përhershme. Prandaj, rekomandohet ujitja e kulturave, veçanërisht e kanaleve pranverore dhe kulturave industriale. Prodhuesit bujqësorë mund të vazhdojnë me aktivitetet e tyre dhe të kujdesen për kulturat e tyre dhe të kryejnë punë në terren. Për shkak të temperaturave të larta, ujitja duhet të jetë e detyrueshme. Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe përgatitjes së mekanizimit për korrjen e ardhshme të kulturave të drithërave. Kulturat duhet të monitorohen rregullisht”, theksojnë agrometeorologët nga DPHM.

Javën e kaluar, përkujtojnë, moti ishte kryesisht me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla lokale dhe reshje të kohëpaskohshme të rrëmbyeshme të shiut.

“Këto kushte atmosferike ishin të favorshme për pjekjen e disa llojeve të frutave si qershitë, vishnjat dhe disa lloje perimesh, si dhe për rritjen dhe zhvillimin intensiv të misrit, lulediellit dhe kulturave të tjera pranverore. Hardhia e rrushit është në fazën e mbylljes së tufave. Gjatë kësaj fenofaze, në vreshta duhet të kryhet kultivim i rregullt i tokës për të shkatërruar barërat e këqija dhe për të ruajtur lagështinë. Gjithashtu kryhet mbrojtje e rregullt nga sëmundjet dhe dëmtuesit”, informojnë agrometeorologët.