Nga sot fillon procesi i rikonstruimit të Qeverisë, ndërsa sipas informacioneve takimet e para me partnerët e koalicionit VLEN dhe ZNAM do të mbahen nesër dhe të shtunën. Pas kësaj do të dihet se cilët ministra dhe drejtorë do të largohen nga pozitat për shkak të mungesës së rezultateve në punën e tyre.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se deri tek ai vijnë informacione se një pjesë e ministrave nuk e kryejnë punën e tyre, por vetëm i shfrytëzojnë privilegjet e pushtetit, gjera shtoi se nuk do të ketë tolerancë të papërgjegjshmërisë dhe devijimit nga parimet e Qeverisë.
“Është e qartë se ka edhe të tillë të cilëve kolltuku u është bërë më i dashur se kontakti me popullin. Marr informacione se një pjesë e ministrave dhe drejtorëve janë të paarritshëm për popullin, ndërsa ka edhe të tillë të cilëve udhëtimet private u janë bërë më të dashura se vizitat në fshatra dhe qytete. Nuk pranoj justifikime nga asnjë funksionar i emëruar se është i lodhur. Nëse është i lodhur, është e ndershme të largohet”, tha Mickoski.
Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, pasi u përplas me udhëheqjen dhe më pas u largua nga VLEN, pozita e tij në Qeveri u bë e pasigurt, por jozyrtarisht thuhet se ai është në marrëdhënie të afërta me Mickoskin dhe se mund të mbetet në pushtet pavarësisht kërkesave të VLEN për largimin e tij. Limani sot tha se nuk është fare e rëndësishme nëse do të jetë në funksion apo jo.
“Nëse jemi ministra apo jo, deri në datën e fundit duhet të shohim që t’i parandalojmë këto raste dhe jo të merremi me atë se kush do të jetë ministër i ardhshëm. Sa kanë qenë dhe sa kanë kaluar dhe sa ministra do të ketë këtu, gjithçka do të varet nga ajo se çfarë gjurme kemi lënë ne në këto salla dhe në ato ministri që kemi”, tha Limani.
Nga ajo që është tashmë e sigurt, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, nuk do të jetë më pjesë e kabinetit qeveritar, pasi është pranuar dorëheqja e tij. Sipas burimeve jozyrtare, në rikonstruimin e Qeverisë mund të ketë edhe ndryshim të resorëve mes partnerëve të koalicionit.
