Më 11 qershor, Evropa kaloi një prag simbolik dhe të zymtë. Lufta në Ukrainë zgjati më shumë se Lufta e Parë Botërore.
Ajo që në shkurt të vitit 2022 dukej si një operacion që Kremlini mendonte se do të mbyllej brenda pak ditësh, është kthyer në një nga konfliktet më të gjata dhe më shkatërruese në historinë moderne të kontinentit.
Në një analizë të publikuar nga The Economist, revista britanike vëren ironinë historike të një lufte që filloi me pritshmërinë e një fitoreje të shpejtë ruse, por që sot ka zgjatur më shumë se konflikti që përfshiu Evropën midis viteve 1914 dhe 1918.
Ngjashmëritë janë të shumta. Si një shekull më parë, ushtarët u nisën me premtime për fitore të shpejta dhe parada triumfale, por përfunduan në beteja rraskapitëse, në fronte të ngrira dhe luftë konsumimi.
Në vend të tankeve, gazit mustardë dhe mitralozëve të Luftës së Parë Botërore, këtë herë janë dronët që po transformojnë natyrën e konfliktit.
Por sipas The Economist, sfida më e madhe nuk është më lufta, por paqja.
Revista paralajmëron se Traktati i Versajës i vitit 1919 mbetet një kujtesë se fundi i një konflikti nuk garanton domosdoshmërish një rend të qëndrueshëm. Përkundrazi, një paqe e keqmenaxhuar mund të mbjellë farat e një lufte të re.
Në këtë kuptim, aleatët e Ukrainës kanë arritur deri tani ta ndihmojnë Kievin të mos humbasë luftën. Sfida e ardhshme do të jetë ta ndihmojnë të fitojë paqen.
Pavarësisht disa zhvillimeve që kanë përmirësuar pozicionin e Ukrainës në muajt e fundit, negociatat serioze mbeten ende larg. Kievi pretendon se Rusia vazhdon të paguajë një çmim të lartë në front, ndërsa sulmet me dronë ukrainas po arrijnë gjithnjë e më thellë në territorin rus.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian po përgatitet të disbursojë një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke mbajtur të qëndrueshme mbështetjen financiare në një kohë kur angazhimi amerikan është bërë më i paqartë.
Megjithatë, Vladimir Putin vazhdon të refuzojë kërkesat për negociata të drejtpërdrejta.
Sipas The Economist, kur të vijë momenti i armëpushimit, ai nuk do të ngjajë me kapitullimet e plota që kanë shënuar fundin e konflikteve të tjera historike. Rusia nuk do të dalë e mundur në mënyrë absolute dhe nuk pritet të përballet me reparacione apo procese të mëdha ndërkombëtare.
Paqja, argumenton revista, do të jetë e papërsosur, e mbushur me kompromise që nuk do të kënaqin asnjërën palë.
Por një mësim mbetet i vlefshëm edhe sot, një shekull pas Versajës: dëshira për ndëshkim nuk mund të jetë qëllim në vetvete.
“Regjimi i Putinit mban përgjegjësinë për luftën dhe krimet e saj. Por një ditë, shpresojmë së shpejti, ai mund të jetë gjithashtu partner në ndërtimin e paqes”, përfundon The Economist.
