Integrimi /Sofja: S’ka tërheqje nga pakti i vitit 2022

Ministrja e Punëve të Jashtme bullgare, Velislava Petrova, i dërgoi një mesazh Maqedonisë, duke theksuar se Bullgaria nuk do të tërhiqet nga ajo që është dakorduar në vitin 2022.

“Kjo nuk është çështje e problemeve dypalëshe, por e marrëdhënieve ndërmjet një vendi kandidat dhe Bashkimit Evropian.”, deklaroi Petrova për televizionin nacional bullgar.

Sipas shefes së diplomacisë bullgare, autoritetet në Maqedoni duhet ta shfrytëzojnë “dritaren e hapur” aktuale për zgjerimin e BE-së, në vend që të përshkallëzojnë tensionet me Sofjen.

“Shpresoj që Maqedonia të gjejë një qasje që do ta përqendrojë vëmendjen në përmbushjen e obligimeve, e jo në kërkimin e konfliktit me Sofjen.”, tha ministrja Petrova, duke shtuar se në Bullgari ekziston unitet i plotë politik për këtë çështje.