Më 20 korrik do të mbahet seanca fillestare ndaj të 21 serbëve të akuzuar për Masakrën e Reçakut.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Aktakuza është ngritur më 30 dhjetor 2025. Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se më 15 janar 1999, gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.
Në periudhën 1998–1999, sipas Prokurorisë, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Brigadës së Mekanizuar 243, Armatës së III-të (Korpusi i Prishtinës), si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), kanë kryer trajtim çnjerëzor ndaj civilëve, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.
Sipas hetimeve, forcat serbe fillimisht e kanë rrethuar fshatin Reçak nga lokalitetet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për të vazhduar më pas me granatime nga distanca, kontrolle shtëpi më shtëpi dhe ndarje të civilëve. Gratë dhe fëmijët u dëbuan me forcë nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar u ekzekutuan.
Aktakuza thekson se të pandehurit kanë ushtruar dhunë të rëndë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë./Reporteri.net
