Një zhurmë e fortë i tronditi banorët e fshatit Radozhdë në Strugë, në brigjet e liqenit të Ohrit, kur një shkëmb me peshë mbi 10 ton ra nga kodra shkëmbore që ndodhet mbi rrugë. Edhe pse pranë ndodhen shtëpi, fatmirësisht nuk ka dëme materiale dhe as të lënduar. Banorët druajnë për sigurinë e tyre dhe për rrezikun nga shembje të tjera, për shkak të çarjeve që janë të pranishme edhe në pjesë të tjera të shkëmbinjve.
“Jam i rrezikuar këtu nga këta gurë. Dje në ora 18 ra një gur me peshë 15 ton në rrugë këtu. Po të kalonte dikush, me siguri do ta shtypte. Të gjithë jemi nën presion këtu”, deklaroi Petko Nestoroski, banor i Radozhdës.
“Ndër vite kanë rënë shumë shkëmbinj, por askush nga shteti nuk ndërmerr asgjë. Gjysma e fshatit është e rrezikuar, gjysma e fshatit jeton nën shkëmb dhe në çdo moment mund të ndodhë i njëjti rast. Nuk e di nëse duhet të pritet të ndodhë diçka që shteti të reagojë. Është rrezik të jetohet në këtë fshat me këto shembje, nuk e di kush do të pranonte të jetonte këtu..”, tha Mihajllo Solakoski, Banor i Radozhdës.
Nga Bashkësia Lokale do t’u drejtohen institucioneve kompetente shtetërore dhe komunës së Strugës me kërkesë që të ndërmerren masa urgjente mbrojtëse si dhe të kontrollohet qëndrueshmëria dhe cilësia e shkëmbit. Disa nga banorët, me nismë personale, kanë filluar të vendosin beton për mbrojtje nga rrëshqitjet e mundshme.
“Vetëm 3 metra larg shkëmbit që rrëshqiti kishte banorë të Radozhdës me fëmijë të vegjël, të cilët në atë moment duhej të kalonin aty. Dje u ngjita personalisht lart dhe ka edhe dy ose tre shkëmbinj të tjerë, disa edhe më të mëdhenj se ky që ra. Gjendja është alarmante. Këtu afër po bëhet mbrojtje nga shkëmbinjtë për të mos pasur shembje, vetë banorët po ndërmarrin masa vetëm që të mos ketë viktima”, theksoi Aleksandar Juloski, Kryetar i Bashkësisë Lokale në f. Radozhdë.
“Neglizhenca e shtetit deri më tani ndaj Radozhdës na ka sjellë në këtë situatë ku jemi. Duhet urgjentisht të mendohet çfarë do të bëhet me shkëmbinjtë mbi Radozhdë dhe mbi Elen Kamen, sepse kjo është rruga jonë e vetme. Duhet të zgjidhet, sepse përveç se ka banorë që jetojnë këtu, ky është një nga vendet turistike më elitare që nesër duhet të jetojë nga turizmi”, tha Petko Kutanoski, Banor i Radozhdës.
Gjysma e Radozhdës shtrihet nën vetë shkëmbin. Në shkurt të vitit 2021 kishte një rast të ngjashëm, kur shembja e një shkëmbi gjigant me peshë qindra ton përfundoi pranë shtëpive. Edhe atëherë, thonë banorët, pati premtime se do të ndërmerreshin masa, por gjithçka mbeti vetëm në fjalë boshe./Alsat.mk.
