Iseni hesht për përjashtimin e shqiptarëve nga Dita e Policisë

Për të dytën ditë me radhë, zëvendësministri i MPB-së Astrit Iseni vazhdon të mbetet indiferent  lidhur me përjashtimin total të shqiptarëve nga ceremonia e Ditës së Policisë. Edhe përskaj tentativave të Alsat, Iseni hesht ndaj injorimit të shqiptarëve në shënimin e kësaj dite, qoftë në pjesën e dekorimit të policëve më të mirë të vitit, qoftë për komunikimin dhe mbishkrimet vetëm në maqedonisht. Pyetëm njërin nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhitin, nëse e din se ku e ka zëvendësministrin?!

“Kthehet prej SHBA-ve, me siguri po sa të kthehet do ju përgjigjet”, tha Izet Mexhiti, kryetar i VLEN-it.

Derisa Mexhiti thotë se Iseni do të japë përgjigje kur të kthehet nga SHBA-të, lideri tjetër i VLEN, Bilall Kasami gjatë intervistës së djeshme në Alsat tha se Iseni duhet të jep llogari për dekorimet në polici dhe mosrespektimin e shqipes.

“Patjetër që ne do të duhet që të flasim, unë me dinamikën që e kemi pasur edhe në komunë si kryetar komune, por edhe me zhvillimet e VLEN, nuk është që kam pasur informata, por patjetër që nëse është ashtu, që nuk dyshoj, do të duhet të kemi një sqarim nga zëvendësministri por dhe nga ministria e Brendshme se pse ka ndodh një gjë e tillë”, theksoi Bilall Kasami, kryetar i VLEN-it.

Astrit Isenin së fundi e përcollën disa skandale. Ai nuk kishte informacion për sistematizimin në MPB që sipas vetë policëve kishte për qëllim dëmtimin e nëpunësve shqiptar në MPB, nuk arriti t’i mbronte të zgjedhurit shqiptar nëpër pozita dhe shkarkimin e tyre nga ana e ministrit dhe drejtorit të policisë pa koordinim paraprak, u pezulluan dhe larguan nga puna policë vetëm pse mendonin ndryshe politikisht nga ministri, nuk arriti ta ndëshkon policin që më 28 nëntor përdhosi flamurin kombëtar shqiptar në Kumanovë ndërsa i dështoi edhe premtimi për emblemat e uniformave të policisë edhe në gjuhën shqipe. /Alsat.mk