JARA NASUFI DHE ELIF LABËNISHTI SHPALLEN KAMPIONE SHTETI NË KARATE
Kampionati shtetëror i karatesë për grupmoshat 10–13 vjeç, i zhvilluar në Shkup, solli rezultate të shkëlqyera për Klubin e Karatesë “Drini” nga Struga. Të rinjtë struganë treguan përgatitje të lartë, duke u kthyer në qytetin e tyre me një bilanc mbresëlënës prej pesë medaljesh.
Në këtë aktivitet sportiv, Jara Nasufi dhe Elif Labënishti u shpallën kampione, duke fituar medalje ari dhe duke dëshmuar talentin e tyre të jashtëzakonshëm në tatami.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm erdhi nga Neshat Islami, i cili u shpall nënkampion dhe u stolis me medalje të argjendtë.
Suksesi i klubit u plotësua edhe me dy medalje bronzi, të fituara nga Gresa Pollozhani dhe Nuhejla Coma, të cilat gjithashtu treguan performancë të denjë dhe përkushtim të madh. Këtë radhë pa medalje mbeti Diell Labënishti edhe pse bëri paraqitje të mirë.
Këto arritje janë dëshmi e punës së palodhur të sportistëve, trajnerëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të klubit “Drini”.
Rezultatet e tyre jo vetëm që nderojnë Strugën, por janë edhe një motivim i fortë për gjeneratat e reja që të ndjekin rrugën e sportit dhe suksesit.
Vazhdojmë tutje!
