Bashkimi Evropian i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, është bërë e ditur nga Komisioni Evropian. Gjatë debatit që është zhvilluar për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, deklaroi – Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së.
Gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian është shprehur keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik me të cilin u përball vendi gjatë gjithë vitit 2025.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin. Atëbotë pati edhe përplasje mes protestuesve serbë me forcat e sigurisë, përfshirë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR./Alsat.
