Nesër shënohet një vit nga zjarri katastrofal në diskotekën “Puls” në Koçan

Nesër shënohet përvjetori i zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e re të vendit. Procesi gjyqësor për tragjedinë është në zhvillim; në shkurt të këtij viti për rastin u ngrit edhe një aktakuzë e veçantë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ndaj 25 policëve. Dëshmitë në procesin gjyqësor përshkruajnë pamje të tmerrshme nga tragjedia.

“Kur arritëm, kishte shumë trupa para diskotekës. Por edhe shumë persona ishin bllokuar te dera hyrëse. Ishin të ngatërruar mes tyre, i tërhiqnim me vështirësi. Kërkuam nga policia të dërgojë njerëz për ndihmë. Në ekipe të përziera, filluam të nxjerrim fëmijët. Për ata më të dobëtit fizikisht ishte më e thjeshtë, për ata me peshë më të madhe ishte më vështirë. Disa nuk i lëviznin dot këmbët nga tronditja, andaj i mbartnim në duar”, deklaroi Bllagojço Paunov, zjarrfikës në Koçan.

• Para diskotekës kishte shumë trupa
• Personat ishin të ngatërruar, i tërhiqnim me vështirësi

Zjarri u shkaktua nga mjetet piroteknike të përdorura në skenë gjatë performancës së grupit “DNK”. Shkëndijat kapën tavanin, i cili ishte i mbuluar me sfungjer, pas çka shpërtheu flaka që u përhap shpejt.

“Zjarri përhapej jashtëzakonisht shpejt. Pikonte nga lart dhe ishte jashtëzakonisht nxehtë. Kishte shumë tym të dendur, nuk mund të merrja frymë dhe kjo zgjati shumë. Kur shikova lart, flaka ishte mbi kokën time dhe pikonin pika të zeza, nga të cilat kam djegie, por më shumë nga nxehtësia”, tha Goran Tonev, kitarist i grupit “DNK”.

• Zjarri përhapej jashtëzakonisht shpejt
• Pikonin pika të zeza nga të cilat kam djegie

Pas tragjedisë pasuan protesta masive, prindërit dhe të afërmit e viktimave ende organizojnë “Marshin e engjëjve” dhe kërkojnë drejtësi. Tragjedia në Koçan hapi shumë pyetje për aktivitetet korruptive dhe mosveprimin e institucioneve./Alsat.mk.