Çmimet rriten, Qeveria pa asnjë iniciativë- BDI propozon masa për mbrojtjen e familjeve

Standardi i familjeve në vend është duke u goditur çdo ditë nga rritja e çmimeve dhe nga mungesa e reagimit institucional. Në vend që të ndërmerren masa për të mbrojtur qytetarët, Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë, e udhëhequr nga përfaqësues të VLEN-it, po tregojnë mungesë të plotë interesi dhe kapaciteti për të përballuar këtë situatë informon Tetovasot .

BDI paraqiti një propozim të qartë për rritjen e pagës minimale dhe rritjen lineare të pagave, si mënyra më e drejtë për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Ky propozim nuk u pranua. Si rezultat, mijëra familje sot përballen me çmime gjithnjë e më të larta, ndërsa të ardhurat e tyre mbeten të njëjta.

Situata bëhet edhe më e rëndë në këtë periudhë kur familjet kanë shpenzime më të mëdha. Jemi në muajin e Ramazanit dhe përpara festave të Bajramit dhe Pashkëve, periudhë kur qytetarët kanë nevojë më shumë se kurrë për stabilitet të çmimeve dhe për mbështetje nga institucionet. Për fat të keq, Ministria e Ekonomisë sillet sikur kjo krizë nuk ekziston.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk qëndron vetëm në kritikë. Ne paraqesim masa konkrete që mund të zbatohen menjëherë për të lehtësuar barrën mbi familjet.

Së pari, të vendosen çmime tavan për produktet bazë ushqimore ose të përcaktohen marzhe minimale për këto produkte, në mënyrë që të parandalohet abuzimi me çmimet.

Së dyti, të rritet paga minimale për të paktën 3500 denarë duke filluar nga muaji mars, në vend të rritjes simbolike prej 1600 denarësh që parashihet aktualisht.

Së treti, të ulet përkohësisht TVSH-ja për produktet bazë ushqimore për një periudhë prej tre muajsh, për të ulur menjëherë çmimet në treg.

Së katërti, të bëhet një rishikim i të dhënave doganore për importin e pemëve dhe perimeve, duke pasur parasysh se vendi është në masë të madhe i varur nga importi dhe se manipulimet në këtë sektor ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet për qytetarët.

Së pesti, të rriten kontrollet nga inspektoratet përkatëse në treg për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet me çmimet.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë më shpesh çmimet e derivateve të naftës, të paktën dy herë në javë, duke marrë parasysh se në bursat ndërkombëtare tashmë ka rënie të konsiderueshme të çmimeve. Çdo vonesë në reflektimin e këtyre ndryshimeve në tregun vendor është barrë shtesë për qytetarët dhe bizneset.

Qytetarët kanë nevojë për veprime konkrete, jo për heshtje institucionale. Qeveria duhet të veprojë menjëherë për të mbrojtur standardin jetësor të familjeve.