Prindërit e viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, para fillimit të seancës së sotme, theksuan se dyshojnë se njëri nga të akuzuarit në këtë rast, nga burgu, po ushtron ndikim mbi dëshmitarët. Ata u bënë thirrje institucioneve që t’i verifikojnë këto informacione.
“Kemi informacione se personi J.J., i cili ndodhet në masë paraburgimi në burgun e Shkupit, i jep telefon celular për përdorim personit Todor Jovanov, vëllai i monstrës, i cili përmes komunikimit në Viber ushtron presion mbi dëshmitarët e Prokurorisë”, tha Julija Zllatkova, nëna e Tomas Zlatkov, viktimë në zjarrin në diskotekën “Puls”.
Komandanti i Njësisë së zjarrfikësve në Koçan, Dragan Apostolov, dhe kolegu i tij Bllagojço Paunov, të cilët atë natë ndërhynë në shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e mysafirëve, me dëshmi tronditëse përshkruan çfarë ndodhi në natën fatale. Paunov dëshmoi se kur kishin arritur, para diskotekës kishte shumë trupa. Te dera hyrëse kishte shumë njerëz të bllokuar dhe ishte e vështirë t’i nxirrnin.
“Kërkuam nga policia të dërgojë njerëz për të ndihmuar. Filluam në ekip t’i nxirrnim fëmijët. Për ata me peshë më të lehtë ishte më e thjeshtë, për ata më të rëndë ishte më e vështirë. Fëmijët ishin në shok, nuk mund të lëviznin dhe i çonim deri te parkingu. Të tjerët ishin në panik, shkelën mbi personat dhe mbi ne”, u shpreh Blagojço Paunov, zjarrfikës.
Apostolov tha se më së shumti të lënduar dhe të vdekur kishte para derës hyrëse. Në tualetin e diskotekës kishte kuti për hidrant, por brenda nuk kishte valvul që të mund të përdorej.
“Digjej tavani, pjesë të banakëve, skena… Pas korridorit kishte dy persona të djegur, të shkrumbuar, pashë edhe një tjetër të shkrumbuar. Dukshmëria brenda ishte e mjegullt, kishte tym dhe ishte shumë nxehtë, mora djegie përmes pajisjes pa u prekur nga zjarri, aq e fortë ishte temperatura”, tha Dragan Apostolov, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Koçan.
Më 16 mars do të mbushen 1 vit nga ngjarja tragjike në diskotekën “Puls” në Koçan, kur gjatë koncertit të grupit DNK shpërtheu zjarr në të cilin humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan. /Alsat.mk
