Akuzat ndaj policëve për tragjedinë në Koçani drejt përfundimit, PTHP NKOK paralajmëron njoftim për nesër

“Pas disa muajve heshtje, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit paralajmëron për nesër njoftim për publikun, përmes të cilit pritet të merret vendim për policët e përfshirë në tragjedinë e “Puls” në Koçan, ku 63 persona humbën jetën”, raporton gazetari i Alsat, Mihajllo Donev.

Hetimi për gjithsej 30 policë, të cilët Prokuroria për Ndjekjen e Krimit i ngarkon për një sërë lëshimesh, po zhvillohet që nga qershori, megjithatë aktakuzë ende nuk ka. Një ditë më parë pati informacione në publik se gjashtë policë nuk do të përfshihen në aktakuzë, por nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për Alsat thanë se nuk mund ta konfirmojnë këtë informacion dhe se nesër prokurori i rastit do të bëjë të ditur të gjitha detajet për publikun. Policët dyshohen se nuk kanë kryer kontroll të detajuar të licencës së klubit “Puls” në Koçan, sidomos në pjesën e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike. Fillimisht në hetim ishin përfshirë shtatë policë, që më pas numri të arrijë në 30 policë nga Shtipi dhe Koçani. Deri më tani disa herë është shtyrë aktakuza për këtë rast, me arsyetimin se për të punon vetëm një prokuror dhe se bëhet fjalë për material voluminoz me një numër të madh provash materiale.

Nga ana tjetër vazhdon gjyqi për tragjedinë e Koçanit në rastin që udhëhiqet nga Prokuroria Themelore Publike, ku të akuzuar janë 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Rasti ndodhet në fazën e paraqitjes së provave, ndërsa po merren në pyetje dëshmitarë. Paralelisht me këtë, për tragjedia po zhvillohet edhe një gjykim tjetër në prokurorinë e Koçanit, ku janë përfshirë 11 persona, mes tyre edhe inspektorë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Shtip dhe Strumicë, të dyshuar se kanë njoftuar përgjegjësit e klubit “Puls” për kontrollet dhe në këmbim kanë marrë dhurata. Në tragjedinë e Koçanit, më 16 mars të vitit të kaluar, humbën jetën 63 persona, ndërsa 200 të tjerë u lënduan./ Alsat.mk