⚠️ Salla e sportit në Strugë vazhdon të mbetet e mbyllur 🏟️🚫
Salla sportive në shkollën e mesme “Niko Nestor” në Strugë vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa as shteti dhe as Komuna e Strugës nuk kanë gjetur zgjidhje për rinovimin e saj. Situata po shkakton probleme serioze për klubet sportive dhe nxënësit, të cilët mbeten pa kushte adekuate për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Përfaqësuesit e klubeve sportive shprehen të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura.
“Gjatë periudhës parazgjedhore morëm premtime se salla do të rregullohej, por asgjë nuk u realizua. Nuk është salla më e keqe në vend, as më e rrezikshme, por u mbyll dhe mbeti ashtu,” deklaroi Jovan Tërpenovski, kryetar i klubit të hendbollit Struzhanka.
Sipas klubeve, me rreth 50 mijë euro mund të realizoheshin ndërhyrje minimale për funksionalizimin e sallës. Aktualisht, tetë klube sportive janë të detyruara të ushtrojnë aktivitetet e tyre në një sallë private, me kosto shumë më të larta 💸, ndërsa rreth 1.500 nxënës të shkollës “Niko Nestor” zhvillojnë mësimin e edukimit fizik në një sallë shumë më të vogël.
“Jemi vënë para një fakti të kryer. Ndihmë nuk ka nga askush. Për herë të parë në 22 vite jam pesimist dhe pa forcë,” u shpreh Vladimir Gjorgjeviq, trajner sportiv.
Salla, e ndërtuar në vitin 1983, prej vitesh është në gjendje të rëndë, pa ngrohje dhe me kushte të pasigurta. Në fillim të prillit, Inspektorati Shtetëror i Punës e mbylli objektin për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë për sigurinë ⚠️. Problemi është komplikuar edhe nga marrëdhëniet e pazgjidhura pronësore-juridike, pasi nuk dihet qartë se kush është pronari i sallës.
Ndërkohë, sportistët dhe nxënësit e Strugës vazhdojnë të presin një zgjidhje konkrete, duke kërkuar që çështja të zgjidhet pa vonesa dhe pa justifikime, pavarësisht se kush do ta menaxhojë sallën./Alsat
