Gjykata Penale e Shkupit e ka pranuar kërkesën e ish kryeprokurores speciale Katica Janeva dhe e ka lëshuar nga burgu një vit e gjysmë para kohe. Janevës i mbaron dënimi 7-vjeçar në vitin 2027, deri atëherë duhet të paraqitet rregullisht në Gjykatë.
Janeva në qershor të vitit 2020 u dënua me 7 vjet burg në rastin e njohur si “Reket”, krahas saj në këtë rast u dënua edhe Bojan Jovanovski apo “Boki 13” me 9 vjet burg, ndërsa Zoran Milevski – Kiçeec me 3 vjet burg.
Sipas akuzës, Jovanovski ka ndikuar te Janeva lidhur me lëndën “Perandoria” që udhëhiqej nga Prokuroria Speciale, me qëllim që t’i lehtësohet ngarkesa penale të dyshuarit Orce Kamçev. Si shpërblim për këtë shërbim, Janeva ka marrë një divan në vlerë prej 296 mijë denarë dhe para në vlerë prej 50 mijë eurosh. Nga ana tjetër, Boki 13 dhe Zoran Kiçeec nga Kamçevi kanë marrë 1.5 milion euro, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur se ku ndodhen.
Ky rast do të shënonte dhe shkatërrimin e Prokurorisë Speciale i cili u formua me konsensus të gjerë politik si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, pas krizës së krijuar në vitin 2015-të me publikimin e përgjimeve nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Detyra e Prokurorisë Speciale ishte që të merret ekskluzivisht me veprat penale që dolën nga përgjimet e paligjshme. Shumë prej lëndëve u vjetërsuan ose mbetën pa epilog. /Alsat.mk
