Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës arritën kualifikime historike në grupet e Ligës së Konferencës, aty ku për herë të parë po marrin pjesë. Si për ironi të fatit, goglat vendosën që dy skuadrat shqiptare të përballen me njëra tjetrën në fazën e grupeve dhe sot, Drita do të presë në Prishtinë skuadrën e Shkëndijës. Kjo sfidë është e vlefshme për raundin e katërt të Europës, ku të dyja ekipet vijnë nga paraqitje shumë të mira deri më tani.
Pavarësisht rivalitetit për pikë, që secilës nga skuadrat mund t’i bëjnë punë, atmosfera para ndeshjes është shumë pozitive dhe nuk kanë munguar notat patriotike nga të dyja kampet, si nga Drita ashtu edhe nga Shkëndija.
Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe është hera e parë në histori, që dy skuadra shqiptare përballen me njëra tjetrën në fazën e grupeve të një turneu europian. Më parë, është përballur Shkupi me Ballkanin në kualifikuese me këta të fundit që arritën të kualifikoheshin, ndërkohë që në këtë fazë të turneut, bëhet fjalë për grumbullim pikësh dhe të dyja skuadrave ju intereson që të marrin më të mirën sigurisht.
Drita dhe Shkëndija e presin këtë ndeshje me nota patriotike, pasi ndeshja përkon edhe me festat e 28-29 nëntorit. Bie në sy fakti se Shkëndija i ka bërë një reklamë të jashtëzakonshme këtij takimi, duke përdorur edhe figura legjendare dhe historike nga heronjtë shqiptarë.
Në 3 ndeshjet e para që kanë luajtur, Drita ka marrë dy barazime dhe një fitore duke e parë veten në vendin e 13 me pesë pikë. Ndërkohë, Shkëndija e nisi me humbje, por më pas mori një fitore dhe barazoi në javën e fundit ndaj Jagellonias vetëm në sekondat e fundit dhe aktualisht renditet në vendin e 21 me katër pikë.
