Reshjet e fundit kanë rritur nivelin e ujit në Liqenin e Ohrit dhe të Prespës

Edhe pse shkaktuan probleme serioze, reshjet e shiut po i rikthejnë në jetë Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Prespës.

Niveli i Liqenit të Ohrit është rritur për 18 centimetra vetëm brenda pak ditësh, që është 29 centimetra mbi minimalen e lejuar. Deri para një jave, situata ishte më shumë se shqetësuese dhe sipërfaqe të tëra të bregut të liqenit ishin tharë.

Ekologjistët thonë se edhepse reshjet në aspektin ekologjik, sjellin përfitime reale, ato nuk e zgjidhin problematikën me të cilën përballet ky rajon.

“Kjo masë ujore është padyshim e mirëseardhur, sepse e balancon nivelin e ujit në ekosistemet e liqeneve, e freskon zonën bregliqenore, por gjithashtu e rrit edhe fondin e ujërave nëntokësore, me të cilat ushqehen liqenet. Viti 2023 u karakterizua si viti më i thatë me vetëm 24 milimetra shi për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtat zona, ndërsa këtë vit sasia e reshjeve është më e madhja në 5 vitet e fundit. E gjithë kjo tregon se rajoni po përballet me një karakteristikë klimatike të paqëndrueshme, e cila kontribuon në degradimin e ekosistemeve”, tha Konstantin Zdraveski – ekologjist.

Pas disa vitesh, për herë të parë shënohet rritje e nivelit të Liqenit të Prespës, i cili gjatë viteve të fundit ka shënuar një ulje alarmante të nivelit të tij.

“Më 11.11, në matjen e fundit që kishim bërë, niveli i ujit të Liqenit të Prespës ishte 840.88 metra, ndërsa në matjen e sotme është 841.20 metra. Kjo tregon se, si pasojë e reshjeve të fundit, niveli i ujit është rritur për 32 centimetra. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit kemi një rritje prej 17 centimetrash. Situata e cilësisë dhe sasisë së ujërave jo vetëm në Liqenin e Prespës, por edhe në zonën e pellgut ujëmbledhës, aktualisht jep shpresë si rezultat i këtij cikli hidrologjik që po e përjetojmë”, u shpreh Ajman Maala – Komuna e Resnjës.

Parashikimet ishin se, nëse ulja e nivelit vazhdon me të njëjtin ritëm, atëherë për 40–50 vjet nga liqeni do të mbeteshin vetëm disa gropa mëdha. Në proces është hartimi i një plani për menaxhimin e Liqenit të Prespës, i cili duhet të kontribuojë në shpëtimin e tij. Sipas studimit hidrologjik të përgatitur në vitin 2014, liqeni humbet 54 milionë metra kub ujë në vit./ Alsat.mk