Maqedonia e Veriut është në fazën përfundimtare të hartimit të Strategjisë për Arsim 2026–2032, dokument që do ta përcaktojë drejtimin e zhvillimit të arsimit në gjashtë vitet e ardhshme. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, theksoi se qëllimi kryesor është krijimi i një sistemi arsimor modern dhe cilësor, që do të përmbushë nevojat e nxënësve dhe të tregut të punës. Strategjia do të fokusohet në forcimin e mbështetjes për mësimdhënësit, zhvillimin e arsimit profesional dhe universitar, si dhe në rritjen e përfshirjes dhe digjitalizimit në arsim. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe shëndetit mendor dhe fizik të të rinjve, si dhe zbatimit të mësimit njëturnësh.
“Arsimi është i shtrenjtë. Por vlera e cilësisë është më e madhe se çdo çmim. Ne kemi filluar proceset e reformave në të gjitha segmentet arsimore, menjëherë dhe paralelisht, sepse ngecja ishte e dukshme. Kjo është konfirmuar nga PISA dhe TIMSS, është konfirmuar nga renditja e Shangait, raportet e Komisionit Evropian dhe analiza të tjera relevante. Për efektivitet të plotë, duhet të ketë vazhdimësi. Ne do ta sigurojmë atë vazhdimësi me Strategjinë e re të Arsimit të vlefshme për periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2032”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.
Në punëtorinë për hartimin e strategjisë ku morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si UNICEF, GIZ, UNDP dhe Banka Botërore, u theksua rëndësia e zbatimit të vërtetë në shkolla dhe komunitete dhe jo vetëm në letër. Ata apeluan që strategjia të përqendrohet te aftësitë bazike të nxënësve, përdorimi i teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale, si dhe te përgatitja e profesioneve të së ardhmes. /Alsat.mk
