DIASPORA HISTORIKE DHE KONGRESI I PARË I SHQIPTARËVE TË ITALISË

130 vjetori i Kongresit të parë të shqiptarëve të Italisë

DIASPORA HISTORIKE DHE KONGRESI I PARË I SHQIPTARËVE TË ITALISË

Prof. Xhemi Hajredini

Sot e 130 vjet më parë diaspora më e moçme shqiptare, e bashkuar rreth personaliteteve më të shquar të saj organizoi Kongresin e Parë të shqiptarëve të Italisë. Kur në asnjë vend të Evropës nuk flitej për një shtet shqiptar e një gjuhë shqiptare, kur nga kazanet serbe spekulohej se gjoja Kancelari i parë gjerman, Bismarku paskësh thënë se Shqipëria nuk është gjë tjetër përpos një shprehje gjeografike e që në fakt ai kishte thënë se shqiptarët janë popull etnik evropian që ka hapësirën e vet, e cila duhet të ruhet e paprekur në kuadër të Perandorisë Otomane”; intelektualët arbëreshë merrnin pjesë në tubime e konferenca ndërkombëtare si përfaqësues të Arbërisë. Sigurisht që një nga përfaqësuesit më të denjë të shqiptarisë ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë “tatëmadhi i Arbërit” Jeronim De Rada.
Gjatë një vizite që ish Presidenti (i ndjerë) i Shqipërisë B. Nishani bëri në disa komuna arbëreshe të Kalabrisë (prill 2015), ndër të tjera do të thoshte: “Atëherë kur në Shqipëri qe e ndaluar të shkruhej e të flitej shqip, kur mërgimtarët nuk guxonin të shkruanin as edhe një letër në shqip për familjet e tyre, kur propaganda antishqiptare siguronte se shkrimi në gjuhën shqipe ishte i pamundur, madje edhe falja në shqip, sepse nuk kuptohej. Pikërisht në një epokë të tillë, për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për mërgimtarët, ishte një ngushëllim i madh dhe i thellë përgënjeshtrimi i shkëlqyer që u dhanë shpifjeve të tilla arbëreshët e Italisë me veprat, zakonet, simbolet, kostumet, këngët, mikpritjen dhe me traditat e tyre. Por përveç kësaj, Shqipëria duhet t’u jetë përgjithmonë mirënjohëse këtyre bijve të saj të largët edhe për provën e mrekullueshme të dashurisë karshi racës së tyre që dhanë nëpërmjet përpjekjeve të mëdha për përpunimin e gjuhës. Qenë ata të parët që provuan se shqipja është një gjuhë e thellë dhe e plotë, e ëmbël dhe e aftë t’i japë formë edhe krijimeve më të epërme të imagjinatës poetike.”
Shtypi evropian i kohës evidentonte se një kulturë e lashtë arbërore po ripërtërihet dhe organizohet. Mbi 200 mijë shqiptarë të larguar nga trojet e tyre, të shpërndarë në të gjithë Italinë e jugut, po bashkohen për të mos harruar identitetin e tyre. Kongresi i Parë i shqiptarëve të Italisë, që u zhvillua për tri ditë me radhë, nga data 1 deri më 3 tetor të vitit 1895, në ambientet e Gjimnazit Garopoli Korilian Kalabro (Kozencë) do të trajtonte çështje mes gjuhës dhe historisë.
Njëzet e pesë delegatët e Kongresit dhe 500 intelektualët të tjerë nga regjionet e Italisë së jugut (Kalabri, Kampania, Pulia dhe Sicili) që mbështetën këtë nismë kanë lënë gjurmë të rëndësishme në ngjarjet gjuhësore dhe historike të kombit. Paramendoni, një nismë pas 400 vjetësh pas shpërnguljes! Gjaku nuk bëhet ujë, pa marrë parasysh se është shprishur. Gjuha italiane, thonë arbëreshët, është gjuhë e bukjes, ndërsa arbërishtja (gjuha shqipe) është gjuhë e zemrës.
Arbëreshët, pas mërgimit të tyre, e kishin kuptuar se mbijetesa e gjuhës, e zakoneve dhe kulturës së tyre mund të arrihej vetëm nëse u dilnin zot pasurive shpirtërore e kulturore, se ndryshe do të asimiloheshin dhe zhdukeshin. Historia e diasporës arbëreshe dëshmon bindshëm se sa të qëndrueshëm dhe sa këmbëngulës kanë qenë dijetarët arbëreshë në përpjekjet e tyre për arsimin e nipërve dhe mbesave të Skënderbeut.
Diaspora e moçme arbëreshe u integrua në mënyrë paqësore në Itali, por kurrë nuk braktisi gjuhën, kulturën dhe traditat e paraardhësve.
Pas marrëveshjes për një kornizë debati, Kongresi i shqiptarëve të Italisë, i drejtuar nga Jeronim De Rada, më 2 tetor të vitit 1895 vendosi të themelojë Shoqatën Nacionale Shqiptare (Società Nazionale Albanese). Kryetar i kësaj shoqate u zgjodh arkimandriti, Pietro Kaomdeka Koronei, zëvendës kryetar Anslemo Lorekio (jurist, gazetar) dhe sekretar u zgjodh Salvatore Liguori. Kjo shoqatë sipas delegatëve të kongresit do të duhej të kujdesej për qëndrueshmërinë e vendimeve që do të silleshin në këtë kongres historik.
Katër ishin pikat kryesore ku u përqendrua Kongresi i parë i shqiptarëve të Italisë:

  • unifikimi i alfabetit dhe hartimi i një abetare të gjuhës shqipe,
  • hartimi i një fjalori (u formua një grup pune prej 14 anëtarësh),
  • botimi i një gazete italo-shqiptare dhe
  • hapja e marrëdhënieve me mëmëdheun (Shqipërinë).
    Kongresi vendosi gjithashtu që selia e Shoqatës të jetë në katundin më të njohur arbëresh, në Shën Mitër (San Demetrio Corone), vendbanim i cili do të bëhej sinonim i atdhedashurisë dhe bartës i projekteve arsimore dhe kulturore arbëreshe.
    Pas përfundimit të Kongresit, datë 3 tetor, pjesëmarrësit vërenin kudo kënaqësinë e të gjithë arbëreshëve kudo që jetonin. Më pas drejtuesit e Shoqatës Nacionale Shqiptare nga Qeveria e Mbretit të asaj kohe kërkuan ngritjen e një Katedre për mësimin e gjuhës shqipe pranë Institutit Oriental në Napoli. Kjo kërkesë ka qenë shumë e mençur pasi që vetëm duke u shkolluar dhe studiuar në gjuhën shqipe mund të realizoheshin edhe synimet e kongresit dhe shoqatës.
    Sot, pas 130 vjetëve të Kongresit të parë të shqiptarëve të Italisë, përballemi me një realitet pozitiv dhe një diasporë të organizuar, me imazh plotësisht evropian. Pothuajse gjithçka kishin synuar i kanë realizuar. Rrugëtimi arbëresh ka shumëfishuar dijetarët, akademikët, hulumtimet, publikimet, shkollat, katedrat e gjuhës shqipe, manifestimet etj.
    Është për çdo lëvdatë se si bashkohen arbëreshët pas mendjeve të shkolluara dhe grupeve intelektuale dhe vazhdimisht të mbajnë ndezur zjarrin e kulturës dhe qytetërimit, pasionit dhe krenarisë kombëtare. Arbëreshët e kishin kuptuar shumë herët se mbijetesa e shqiptarëve në Evropë do të rezistonte vetëm nëpërmjet shkollimit të gjeneratave të reja të cilët do t’i dilnin zot trashëgimive shpirtërore dhe kulturore kombëtare.
    Le t’i japim zë historisë për të ruajtur lidhjen me të kaluarën kulturore!
    (Materialet më poshtë janë marrë nga web-i).