Fatos Lumani – Reagim ndaj Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Reagim ndaj Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Ne, organizatorët e festivalit Skena e muzikës serioze shqiptare, jemi të detyruar të reagojmë publikisht ndaj kushteve të padrejta të përcaktuara në konkursin e Ministrisë së Kulturës lidhur me mbështetjen financiare të manifestimeve.

  1. Kritika mbi kriterin e “traditës”
    Vitin e kaluar për herë të parë u vendos një kusht absurd: festivalet për të marrë buxhet maksimal duhet të kishin mbi 40 vite traditë. Ky kriter përjashton në mënyrë të qartë manifestimet shqiptare, të cilat për arsye historike e politike kanë filluar shumë më vonë, për shkak të politikave antishqiptare të ish-shtetit jugosllav. Është paradoksale që vetë Republika e Maqedonisë së Veriut është më e re se 40 vite, ndërsa nga festivalet kërkohet një traditë që kthehet në kohën e Jugosllavisë.

Këtë vit, në vend që të korrigjohet ky gabim, është vendosur një tjetër shifër arbitrare: 35 vite “traditë”, që përsëri diskriminon festivalet shqiptare. Në vend që të vlerësohet cilësia e programeve artistike, mbështetja financiare kushtëzohet nga kriteret e moshës.

  1. Zbatimi selektiv dhe diskriminues
    Edhe pse vjet kushti u shpall si i detyrueshëm, ai nuk u aplikua për festivalet maqedonase. Madje, një festival maqedonas me më pak se 5 vite traditë mori buxhet dyfish më të madh se shumë festivale shqiptare me reputacion. Ky standard i dyfishtë tregon mungesë të barazisë dhe objektivitetit në shpërndarjen e mjeteve publike.
  2. Mungesa e përgjigjes institucionale
    Ankesat tona pranë Komisionit të Shkallës së Dytë kanë mbetur pa përgjigje deri më sot. Përfaqësues të ndryshëm të komisioneve na kanë siguruar se kushti i “traditës” do të hiqej këtë vit – por premtimet e tyre kanë rezultuar të pavlefshme.
  3. Kërkesa jonë e drejtë dhe e përsëritur
    Prej vitesh kemi kërkuar që festivali ynë të shpallet manifestim shtetëror, siç kanë festivale të ngjashme maqedonase. Megjithatë, zyrtarët shqiptarë në Ministrinë e Kulturës, me justifikimin se “nuk kanë fuqi politike”, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të zgjidhur këtë padrejtësi.

Kërkojmë publikisht:
Heqjen e menjëhershme të kushtit absurd mbi “vjetersinë” e festivaleve, duke u bazuar vetëm në cilësinë artistike dhe programore.

Transparencë dhe barazi reale në ndarjen e buxheteve për të gjitha festivalet, pa standarde të dyfishta.

Shqyrtimin e kërkesës sonë të hershme për statusin shtetëror të festivalit shqiptar, si hap drejt barazisë kulturore.

Arti nuk matet me vite kalendarike, por me vizion, ide dhe ndikim shoqëror. Çdo përpjekje për të penguar festivalet shqiptare në Maqedoni është një përsëritje e padrejtësive historike, të cilat nuk duhet të kenë vend në një shtet që pretendon barazi qytetare.