Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, është takuar sot në Shkup me Mateo Maccacci, kreun e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR. Ky takim pason takimin e mëparshëm mes tyre gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Tiranë më herët këtë vit. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut si dhe rëndësia e krijimit të një klime të shëndetshme demokratike në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
“Sot në Shkup pata kënaqësinë të takohesha sërish me Mateo Maccacci, Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, pas takimit tonë të këndshëm gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Tiranë, më herët këtë vit.
Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe mbi rëndësinë e promovimit të një ambienti pozitiv, të drejtë, transparent dhe demokratik në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Prania dhe angazhimi i ODIHR mbetet thelbësor në mbështetjen e këtyre vlerave të përbashkëta në të gjithë rajonin”, njofton Meidani në platformën “X”.
