Me mbërritjen e shtatorit, në ajër ndihet një aromë fillimesh të reja – tingujt e ziles së shkollës, zhurmat e fëmijëve në rrugë dhe listat e pafundme të furnizimeve që prindërit duhet të blejnë.
Për disa prindër, përgatitjet për vitin shkollor janë thjesht pjesë e zakonshme e përditshmërisë, por për shumicën, ato kthehen në një barrë serioze financiare që rëndohet çdo vit e më shumë.
“Çdo herë e njëjta listë – fletore, stilolapsa, ngjyra, çantë shpine… kur i mbledh të gjitha bashkë, shuma del e frikshme”, rrëfen një nënë e dy fëmijëve nga Shkupi. Ajo tregon se, edhe kur mundohet të kursejë, gjithmonë del përtej buxhetit të planifikuar.
“Fëmijët gjithmonë duan gjëra të reja dhe plot ngjyra – nuk është e lehtë t’u thuash jo”, shton ajo.
Edhe tregtarët vërejnë kërkesë të lartë që nga mesi i gushtit, por theksojnë se çmimet janë rritur. Një çantë shpine e thjeshtë shkon nga 1.200 deri në 3.500 denarë, ndërsa një set për art rreth 600 denarë. Kur llogariten mjetet për çdo lëndë, uniformat sportive dhe shumë sende të tjera të domosdoshme, kostoja për një nxënës arrin lehtë mbi 10.000 denarë.
“Asgjë nga këto nuk është luks, por gjëra bazike që një fëmijë i nevojiten për mësim”, shprehet një baba pranë një librarie në qendër të kryeqytetit. “Pa këto, nuk mund ta dërgosh fëmijën në shkollë.”
Sindikatat paralajmërojnë se kjo situatë e thellon pabarazinë mes familjeve. Për ata që jetojnë me pagën minimale, shpenzimet e shtatorit shpesh janë sa e gjithë paga mujore.
“Ka prindër që detyrohen të marrin kredi të vogla vetëm për furnizime shkollore – kjo është shqetësuese”, thonë analistët ekonomikë.
Nga ana tjetër, libraritë thonë se edhe ato përballen me vështirësi. Importet janë shtrenjtuar dhe fitimet shpesh janë minimale.
“Nëse ulim çmimet, mbetemi pothuajse pa fitim”, thotë një pronar librarie në Shkup.
Megjithatë, prindërit kërkojnë mënyra për të kursyer: disa blejnë çanta të përdorura, disa bashkohen me miq ose fqinjë për të marrë sasi më të mëdha me zbritje.
“Është e dhimbshme që arsimi i shpallur falas, në fakt, fillon me kaq shumë shpenzime të fshehura”, thotë një prind i pakënaqur.
Në bankat e shkollës fëmijët nisin vitin të gëzuar, por në shtëpi mbetet një faturë e rëndë që e ndjejnë vetëm të rriturit. Çdo shtator sjell të njëjtin problem – vetëm se shpenzimet bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar.
