Shumë shkolla në vend po shfrytëzojnë ditët e fundit të muajit gusht për të përmbyllur përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor. Për disa momente qëndruam në shkollën fillore “Kirill Pejçinoviq” të Komunës Kisella Voda ku në disa klasa tashmë ishin vendosur librat dhe pajisjet tjera shkollore për nxënësit e klasave përkatëse. Ditët në vijim pritet edhe dezinfektimi i shkollës.
“Kur bëhet fjalë për stafin mësimor, librat dhe tashmë traditën që ka komuna e Kisella Vodës, uniforma për të gjithë nxënësit, çanta dhe pajisje shkollore për klasat e para, të gjitha këto i kemi gati në shkollë. Ka mbetur ajo që është e përditshme në shkollë, mirëmbajtja e higjienës. Nesër do të bëhet dezinfektimi dhe deratizimi, gjithmonë kemi kujdes që shkolla të ketë nivelin e lartë të pastërtisë”, tha Gorançe Jakimov, Drejtor i sh.f “Kirill Pejçinoviq”.
Në një pjesë të shkollës zhvilloheshin edhe punime ndërtimore .Po ndërtohen gjashtë klasë të reja për të mundësuar realizimin e procesit mësimor në një turn.
“Po ndërtohen gjashtë klasë shtesë të cilat do të shërbejnë për të rritur kapacitetin e shkollës për të filluar mësimdhënien me një turn të vetëm. Para disa ditësh ka përfunduar procedura e tenderit për shkollën “Nevena Georgieva Dunja” në të cilën gjithashtu do të fillojnë punimet ndërtimore për ndërtim të klasave shtesë me qëllim të rritjes së kapaciteteve që nxënësit të ndjekin mësimin në një turn që të ju mbetet kohë për aktivitetet tjera të lira që janë shumë të nevojshme për nxënësit”, tha Sasho Jovanovski, Sektori për Arsim.
Në klasë të parë, në shkollën në fjalë do të nisin 80 filloristë në katër paralele ndërkohë e gjithë shkolla numëron rreth 1 mijë nxënës. Nga Ministria e Arsimit kanë paralajmëruar se mbi 150 shkolla tashmë zhvillojnë mësimin në një turn ndërsa në shumë të tjera pritet të bëhen ndërtime shtesë ose do të ndërtohen objekte të reja shkollore. /Alsat.mk
