Shkëndija mund Ludogorecin (2:1), Latifi dhe Ibraimi sigurojnë epërsi para ndeshjes kthyese

Skuadra e Shkëndijës mundi Ludogorecin me 2-1 në takimin e parë të Play Off-it në Ligën Evropa. Mysafirët shënuan të parët, ndërsa skuadra tetovare realizoi dy here në vazhdim falë golave nga Liridon Latifi dhe Besart Ibraimi.

Aksioni i parë për Shkëndijën në minutën e 8-të, kur Liridon Krasniqi godet ashpër brenda zones, por në nivel të dëtyrës është portieri Padt.

Në minutën e 15-të Shkëndija zhvillon një kundërsulm të shpejtë në krahun e djathtë, ndërsa krosimin e Taba-s, nuk arrin të kontrollojë Latifi në zonën e portierit bullgar.

Dy minuta më vonë, mysafirët kalojnë në epërsi. Me goditje precise Deroj Duarte regjistron emrin e tij në listën e golashënuesve.

Në minutën e 36-të, Shkëndija barazon shifrat në 1-1. Liridon Latifi dërgon një predhë të vërtetë nga 20 metra, e cila përfundon në këndin e majtë të portierit Padt.

Në minutën e 40-të, Ibraimi nis kundërsulmin në krahun e majtë, ndërsa asistin e tij nuk e shfrytëzon Zejnullai, që dërjton topin vetëm skaj portës të ekipit bullgar.

Rasti i parë në pjesën e dytë ishte për vendasit, kur Arbin Zejnullai dërgon një gjuajtje të forte nga 16 metra, por që ndalet lehtësisht nga portieri i Ludogoretcit.

Në minutën e 60-të, aksion i shpejtë i Shkëndijës. Asiston Latifi, ndërsa Besart Ibraimi, pasi që lirohet nga mbrojtësit e skuadrës bullgare mposht për here të dytë portierin Serhio Padt, për 2-1.

Në minutën e 75, Ludogoreci u nis në kundërsulm të shpejtë dhe Takpetej godet me të parën, por portieri i Shkëndijës, Guaje ndalon tentimin e parë, ndërsa goditja e dytë e sulmuesit të ekipit bullgar përfundon jashtë portës.

Në minutën e 80-të, aksion i gjatë i Shkëndijës në zonën e skuadrës bullgare, ndërsa asistin e Ibraimit, mesfushori Alhasan e dërgoi skaj portës.

Ludogoreci u kanos në minutën e 90-të, ndërsa tentimin e Kaloçit e ndaloi portieri vendas, Guaje, duke e drejtuar në goditje nga këndi.

Deri në fund të takimit nuk kishte raste konkrete për njërën dhe tjetren skuadër. Ndeshja kthyese në mes Ludogorecit dhe Shkëndijës, do të zhvillohet më 28 gusht në Razgrad të Bullgarisë.