Edhe përskaj shpalljes së zgjedhjeve ditë më parë, partitë politikë nuk pranojnë të kenë shterrur shanset për kandidatët e pavarur në zgjedhje, gjegjësisht për mbledhjen e nënshkrimeve nga ana e tyre që të mund të bëhen pjesë e garës. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se do të konsultohen ekspertët, pa precizuar se cilët janë ata, dhe do të ndërrmerren veprime.
“Ministria e Drejtësisë do të ketë takim me një pjesë të këtyre ekspertëve. Presim të shohim se çfarë mendojnë dhe të ndërmarrim një hap. Sidoqoftë do të veprohet sipas ligjit, nuk do të veprojmë jashtë ligjit”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kandidatët e pavarur vazhdojnë të mos u besojnë veprimeve politike dhe si zgjidhje, disa prej tyre kanë parë regjistrimin në parti politike.
Boshllëku ligjor u krijua pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin e Kodit zgjedhor ku parashihej mbledhja e të paktën 1% e nënshkrimeve të votues të regjistruar në listë nga komuna përkatëse, për kandidatët e pavarur. Pushteti propozoi ndryshime të reja të cilat nuk dallonin shumë nga dispozita tashmë e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese mirëpo ata nuk u miratuan për shkak të mungesës së badenterit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ditë më parë shfuqizoi udhëzuesin për mbledhjen e nënshkrimeve, duke u bazuar në vendimin e kushtetueses, duke bërë kështu të mundur kandidimin e të pavarurve pa nevojën për të mbledhur nënshkrimeve mirëpo partitë politike kanë akoma dilema për këtë. /Alsat.mk
