Izet Mexhiti pritet të jetë kandidat i koalicionit VLEN për Çairin

Izet Mexhiti sipas të gjitha gjasave do të jetë kandidat i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, ku në tetor do të duhet të përballet me kandidatin e BDI-së opozitare Bujar Osmani.

“Sipas të gjitha gjasave unë do të jem kandidati në Çair”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Izet Mexhiti periudhën e kaluar e ka shprehur hapur gatishmërinë për të kandiduar për Çairin. Gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet statusi në Facebook të titulluar “Në zemër të Çairit”, la të nënkuptohet se ka ndarë mendjen që në tetor do të garojë për të parin e kësaj komune që sipas prognozave politike do të jetë një ndër garat më të ashpra.

“Unë nuk bëj politikë për Çairin. Unë jetoj me të. Dhe derisa të kem zë, do flas për të. Derisa të kem forcë, do punoj për të. Sepse për Çairin nuk mjafton të duash. Duhet të jesh. Duhet të ndjesh. Duhet të japësh. Duhet të jetosh për të. Me zemër. Pa kushte. Siç jepet për shtëpi. Siç ruhet gjaku. Siç mbrohet nderi. Çair, ti do të ndriçosh si zemra jote: fort, bukur, e krenar”, shkruan Mexhiti.

Nga ana tjetër, VLEN deri në fund të javës do të publikojë listën e plotë me emrat e kandidatëve për kryetar komunash në zgjedhjet e tetorit.

“Deri tash në VLEN ku përkrahet kandidati Mendi Qyra, ka edhe komuna domethënë që përafërsisht dihet që do jenë, mirëpo deri nga fundi i javës besoj që do të dalim me listën e kandidatëve prej Struge deri në Likovë. Me listën e plotë të kryetarëve të komunave të VLEN-it në këto zgjedhje lokale”, u shpreh Izet Mexhiti, VLEN.

Paraprakisht, Bilall Kasami nga VLEN në një intervistë për Alsat shpalosi ekskluzivisht se VLEN ka vendosur që në zgjedhjet lokale të tetorit, në Komunën e Zhelinës të kandidojë me kryetarin aktual të komunës, Blerim Sejdiu. Kasami theksoi në bazë të rezultateve të anketave, gjasat janë të mëdha që në Kërçovë, VLEN të nxjerrë si kandidat Fatmir Limanin, ndërsa janë duke e shqyrtuar mundësinë për të përkrahur kandidaturën e pavarur të Visar Ademit për në Gostivar. Gjithashtu, sipas të gjitha gjasave në Tetovë do të garojë Kasami për mandat të dytë./ Alsat.mk