Promovime projektesh lokale, takime me banorë lokal, premtime të reja, fotografi dhe video me politikanë me mëngë të përveshura, ndonjëherë të buzëqeshur dhe miqësor, ndonjëherë me pamje të shqetësuar duke dëgjuar banorët, shfaqen gjithmonë e më shumë në rrjetet sociale. Fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale ka edhe më shumë se dy muaj kohë, por partitë nuk hezitojnë të promovojnë kandidatët e tyre të konfirmuar, ose kandidatët potencial. Në këto zgjedhje, koalicioni qeveritar VMRO, VLEN dhe ZNAM pritet të ketë bashkëpunim të qartë që në rrethin e parë.
VMRO-DPMNE-ja për herë të parë nuk do të ketë kandidatë në komunat shqiptare. Kreu i partisë ka konfirmuar se në këto komuna, do të mbështeten kandidatët e partnerëve të koalicionit.
“Logjikisht në komuna të caktuara, unë do të thosha në të gjitha komunat ta mbështesim njëri-tjetrin në pjesën e kryetarëve të komunave, sepse jemi partnerë në Qeveri. Mendoj se ky do të jetë proces pozitiv që do të përfundojë diku në gjysmën e dytë të gushtit”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Në shumë komuna, kandidatët e VLEN nuk janë konfirmuar.
“Po bëjmë analizat e fundit brenda VLEN-it dhe besoj që ditët në vijim, javën e ardhshme do të shpalosim të gjitha kandidaturat brenda VLEN-it, përveç Strugës që e kemi shpalos”, tha Izet Mexhiti, VLEN.
LSDM-ja ka konfirmuar pothuajse të gjithë kandidatët e saj. Për Qytetin e Shkupit kjo parti do të garojë me Kaja Shukovën, kurse përballë do të ketë Orce Gjorgjievskin e VMRO-DPMNE-së. LSDM-ja dhe ZNAM mund të përballen në Qendër, një nga komunat që deri tani e ka drejtuar partia e Venko Filipçes. Po ashtu, përballej LSDM-ZNAM do të kenë edhe në Kumanovë mes Martin Kostovskit dhe Maksim Dimitrievskit. Në Strumicë, LSDM-ja nuk do të kandidojë kryetarin aktual Kostadin Kostadinov, pas përplasjeve të fundit me të.
Në bllokun shqiptar, për Çairin e konfirmuar është kandidatura e Bujar Osmanit nga BDI, gjegjësisht Fronti Evropian, kurse VLEN, edhe pse nuk e ka konfirmuar, pritet të garojë me Izet Mexhitin. Në Tetovë nga këto dy taborë përballen Bilall Kasami dhe Bajram Rexhepi.
Emrat janë akoma të paqartë në Kërçovë dhe Dibër kurse për Strugën VLEN ka konfirmuar mbështetjen për Mendi Qyrën.
Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në fillim të gushtit, pak para se Kuvendi të fillojë pushimin vjetor. Datat e mundshme për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale janë 19 tetori ose 26 tetori./Alsat.mk
