Sipas të dhënave të përditësuara për vitin 2025 nga platforma ndërkombëtare Numbeo, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me cilësinë më të ulët të jetesës në Evropë. Në listën prej 37 shtetesh të vlerësuara, Maqedonia zë vendin e 34-të, menjëherë pas Shqipërisë, ndërsa më dobët paraqiten vetëm Rusia dhe Ukraina.
Indeksi i përpiluar përfshin një gamë të gjerë treguesish: fuqinë reale blerëse të qytetarëve, koston mesatare të jetesës, nivelin e ndotjes, sigurinë, infrastrukturën e shëndetësisë, trafikun, përballueshmërinë e strehimit dhe ndikimin e klimës.
Maqedonia vazhdon të mbajë pozita të dobëta veçanërisht në fushën e ndotjes, ku regjistrohet ndër nivelet më të larta në Evropë. Indeksi i ndotjes për vendin është vlerësuar me 79.2 pikë – më i larti në kontinent.
Gjithashtu, përballueshmëria e jetës mbetet një sfidë. Kostot bazë janë të ulëta në krahasim me vendet e BE-së, por edhe të ardhurat janë tepër të kufizuara, duke bërë që fuqia blerëse të jetë ndër më të ulëtat në rajon. Përdoruesit e Numbeo-s raportojnë vështirësi të mëdha në balancimin e të ardhurave me çmimet e konsumit të përditshëm.
Një tjetër indikator që tregon sfidat ekonomike është raporti mes të ardhurave dhe çmimeve të pronës. Në Maqedoni, duhen mesatarisht 12.2 vjet të ardhura për të blerë një apartament, ndërkohë që në vendet perëndimore si Danimarka apo Belgjika mjaftojnë 6–7 vjet. Shqipëria, me 16.3 vite, renditet më dobët se Maqedonia në këtë aspekt.
Në indeksin e shëndetësisë, Maqedonia ndodhet në pjesën e poshtme të listës, por jo në fund. Sistemi shëndetësor vlerësohet me nota mesatare në aspektin e cilësisë, shpejtësisë së reagimit dhe profesionalizmit të personelit, megjithatë mbetet prapa shumicës së vendeve evropiane. Shqipëria dhe Bosnja janë renditur më keq në këtë kategori.
Të dhënat e këtij raporti nuk përfaqësojnë statistika zyrtare të shteteve, por mbledhin perceptimet dhe përvojat individuale të përdoruesve të platformës, të kombinuara me burime të hapura dhe publike. Pavarësisht kësaj, raporti jep një panoramë të qartë krahasuese mbi standardin e jetesës në Evropë, ku vendet e rajonit – përfshirë Maqedoninë dhe Shqipërinë – vijojnë të qëndrojnë në fund të listës.
