Viti 1894: Struga në një kohë tjetër

Branisllav Nushiq (1864-1938), shkrimtar serb me origjinë vllahe (emri i tij i vërtetë ishte Alkibijad Nusha); dramaturg, prozator, udhëpërshkrues, diplomat, konsull në Manastir, Selanik, Shkup, Prishtinë. Anëtar i ASSHA-së (1933). Shumë nga komeditë e tij janë vënë në skenë në Prishtinë dhe në Shkup. Libri “Kraj obala Ohridskog jezera” (Në brigjet e liqenit të Ohrit, 1894) lindi pasi autori gjashtë herë e vizitoi këtë trevë. Fjala është për një material ekskluziv, të papublikuar më parë në gjuhën shqipe

Kështu erdhëm në Strugë. Këtu do të mbetemi një ditë të tërë dhe pastaj do të kalojmë përmes disa fshatrave të rrethinës, e prej andej do të zbresim sërish në Ohër, që tashmë nuk është larg prej këtu.null

Një orë e gjysmë në perëndim të Ohrit, atje ku në pikën më veriore të liqenit del Drini, nga të dyja anët e lumit shtrihet qyteti i Strugës dhe uji i Drinit e ndan jo vetëm qytetin, por i ndan edhe dy besime, të krishterët që jetojnë në bregun e majtë dhe myslimanët në bregun e djathtë të Drinit. Megjithatë, në anën e djathtë, madje deri kohë më parë, janë rreth 20 shtëpi të krishtera dhe pak shtëpi rome, por në bregun e majtë jetojnë vetëm të krishterët.

Dikur në qytete ka ekzistuar ndarja e plotë e myslimanëve dhe të krishterëve, por një ndarje e tillë, thuajse e prerë, ka mbijetuar aty-këtu edhe në kohën e sotme. Në të gjitha qytetet turke ka edhe tani mëhallë turke dhe të krishtera, por ndodh shpesh që ato në fakt nuk janë të tilla. Dikur një i krishterë nuk guxonte të kalonte hipur në kali, madje as në këmbë në ndonjë mëhallë turke, por në ditët e sotme shpeshherë ka edhe shtëpi turke në mëhallët krishtere dhe anasjelltas. Ja, edhe në Strugë, ku këtë ndarje e ka përcaktuar lumi, 20 shtëpi të krishtera e kanë kaluar atë dhe janë përzier me shtëpitë turke.

null

Struga shtrihet në rrafshinë dhe lë përshtypje të bukur si qytet. Përveç liqenit, bukurinë Strugës ia rrit edhe Drini, që është i gjerë, i pastër dhe i thellë. Por, Drini bën edhe shumë dëme, sepse në vjeshtë, kur uji shtohet, qyteti pëson shpesh përmbytje, veçanërisht në fushën e gjerë të Strugës ku dëmtohen të mbjellat. Është provuar shumë herë që Drini të kanalizohet dhe t’i sigurohen brigjet, por për shkak të punës së bërë shkel e shko nuk ka pasur sukses.

Rrjedha e Drinit vetëm në fillim është e thellë, por në të dalë prej qytetit lumi është dukshëm më i cekët dhe vazhdon me disa degë të vogla. Meqenëse uji është mjaft i shpejtë dhe i rrëmbyeshëm, ai sjell dy-tre mullinj. Mbi Drin ka dy ura, mbi 15 metra të gjata.

“Sot Struga ka 836 shtëpi me 4.312 banorë”

Sot Struga ka 836 shtëpi me 4.312 banorë. Në pjesën turke janë 336 shtëpi, ndërsa në atë krishtere 500 sosh. Në anën e krishterë shtëpitë janë më të mira, por pa kurrfarë dekorimesh. Zakonisht janë dykatëshe, kati i poshtëm me mur, ndërsa i epërmi me dërrasa dhe baltë. Nëse nuk ka depo dhe dyqan, kati i poshtëm nuk ka dritare, ndërsa kati i epërm në fakt është i përbërë prej dritareve, si kudo në Turqi. Në kohë të fundit, disa shtëpi janë të rregulluara më mirë dhe më me shije.

Në anën e krishterë, është një kishë dhe një kapelë (parakalis). Kisha është ekzarkiste (kishë bullgare, shënim i përkthyesit) dhe i është kushtuar Shën Gjergjit, pasi duhet ditur se me përjashtim të disave shtëpive, të gjithë struganët e festojnë Shën Gjergjin. Para katër vjetëve, afër kishës, është ngritur godina e madhe e shkollës, e cila do të kontribuojë shumë në reputacionin e Strugës dhe të struganëve, por deri më tani ajo godinë akoma nuk është përfunduar e tëra. Kapela i përket Patrikanës dhe është e vendosur në një shtëpizë të vogël, gjegjësisht në një dhomë të ulët, dhe është ngritur prej disa dërrasave, fatkeqësisht shumë të shkatërruara dhe prej të cilave është ngritur altari. Partisë greke dhe Strugës u përkasin vetëm një shtëpi dhe dhëndurët dhe të afërmit e kësaj familjeje, e cila në fakt edhe e ka ndërtuar këtë kapelë (parakalis) kishëz. Mua më thanë se janë rreth 60 shtëpi që janë të gatshme të kalojnë në anën patriarshiste, por ata nuk ka kush t’i pranojë! Në Strugë, grekët e kanë pasur njëfarë shkolle, prej së cilës ata tani kanë hequr dorë!

Janë dy shkolla bullgare, e meshkujve dhe e femrave, por ekziston edhe një shkollë e mesme dyvjeçare. Në shkollën e meshkujve dhe në gjimnaz janë 200 nxënës dhe në atë të femrave 80-90 vajza.

Për të kuptuar suksesin e ekzarkisë në Strugë, si dhe në Ohër, duhet të sqarojmë se 30 vjet më parë këto dy qytete janë konsideruar si qytete greke, por duhet shtuar se nga Struga me origjinë janë edhe vëllezërit Milladinovë (Nushiqi ua ka shtrembëruar qëllimisht mbiemrin dhe i quan Milladinoviqi! Sipas të dhënave paraardhësit e vëllezërve Milladinovci kanë qenë shqiptarë të besimit ortodoks v.j.) dhe ata e kanë filluar veprimtarinë e tyre në këtë qytet.

Edhe sot e kësaj dite familjes së vëllezërve Milladinovë, si pension vjetor ekzarkia ua dërgon nga 40 lira turke të arit.

E shtuna, ditë pazari

Struga e ka çarshinë e saj me 180 dyqane. Dyqanxhinjtë janë të krishterë dhe shqiptarë. Dyqanet e Strugës janë të furnizuara mirë me të gjitha gjërat e vogla, por mund të thuhet se ato janë të furnizuara edhe për nevoja më të mëdha. Dikur në Strugë tregtia ka qëndruar shumë më mirë, por që kur u hapën dyqanet nëpër fshatra ajo ka filluar të bjerë ndjeshëm. Deri para 50 vjetësh mbahet mend mirë panairi në zë i Strugës, kurse vendi ku ai zhvillohej, përmbi Strugë, edhe sot quhet Panagjyrishtë. Ditë pazari në Strugë është e shtuna dhe pazari është shumë i pasur.

Me gjithë rënien e tregtisë, Struga mbetet qytet i gjallë falë urës mbi Drin dhe rrugëve që kryqëzohen aty.

Nga kjo urë kalojnë shumë udhëtarë që shkojnë në Dibër, Shkodër, Pejë, Elbasan, Tiranë, Kavajë, Durrës etj. Në Strugë e kalojnë natën karvanët e kuajve të ngarkuar me bidonë me vaj që sjellin tregtarët nga Elbasani.

Ekziston edhe një tregti që në Strugë kurrë nuk do të ndalet. Kjo është tregtia e peshkut, që atje është shumë e zhvilluar, sepse ngjala, e cila eksportohet më së shumti nga liqeni i Ohrit, peshkohet vetëm, të paktën në sasi të mëdha, në Strugë. Në Drin, në skajin perëndimor të qytetit, ka pajisje speciale që përdoren për kapjen e ngjalave dhe me këtë punë merren shumë struganë. Drini këtu është i ndarë me një gardh dhe me një ishull në dy degë; kur fryn era e jugut, ajo i shtyn të gjitha ngjalat nga liqeni në Drin. Nëse në një mot të tillë nuk ka as hënë, atëherë kapet sasi e madhe e peshkut. Duke lundruar përgjatë lumit, peshqit ngecin në ato ndarje dhe të ndjekur nga era e jugut mbeten aty. Në mëngjes peshku i kapur hidhet në kosha në formë hambari. Më pastaj punohet ditë me radhë: ngjalat theren, pastrohen dhe kriposen, por ngjala mund të jetojë edhe 12 orë pa ujë. Në një peshkim të tillë, kur fryn era e jugut dhe nuk ndrit hëna, kapen rreth 10 000 okë ngjala. Këto ngjala pastaj shpërndahen në të gjithë Turqinë, por shiten mjaft qysh të nesërmen, derisa janë të freskëta, edhe në Strugë dhe Ohër.

Përveç peshkimit, struganët merren edhe me bujqësi, ndërsa prej zanateve ata njihen për bërjen e enëve prej balte; pas atyre të Velesit, enët prej balte të Strugës dhe Resnjës, janë më të mirat në treg. Si zanatlinj struganët shkojnë edhe në vende të tjera dhe janë të njohur si punëtorë të mirë, duke punuar zakonisht si bukëpjekës ose enëpunues. Përveç në Serbi dhe në Rumani, struganët shkojnë në kurbete në Shkodër dhe në qytete të tjera përgjatë Detit Adriatik.

Strugës

“…nga Struga fillon Shqipëria”

Struganët njihen jo vetëm si njerëz të vyeshëm, por edhe si mikpritës të mëdhenj. Nuk ka shtëpi strugane që nuk ia hap derën krah më krah mysafirit dhe udhëtarit.

Në anën e djathtë të Drinit, siç edhe e kam përmendur, jetojnë myslimanët. Konsiderohet se nga Struga fillon Shqipëria dhe nëse është ashtu, atëherë mund të shihet bukur se më të vërtetë nga kjo mëhallë turke, nga bregu i djathtë i Drinit më të vërtetë nis Shqipëria. Shqiptarët struganë të gjithë quhen bejlerë. Nga ajo anë ka disa xhami dhe një shkollë.

Në Strugë është selia e mydyrllëkut, që në kufijtë e tij e përfshin qytetin me 22 fshatra të rrethinës. Posta në Strugë vjen një herë gjatë javës, por edhe atëherë nuk ka një transferim postar të vendosur nga Ohri në Strugë, por posta u jepet varkëtarëve që ta shpërndajnë miqësisht atë. Në Strugë mungon edhe telegrafi.

Tani diçka më shumë për Strugën. Mendohet, si nga popullata vendore, ashtu edhe nga udhëpërshkruesit e huaj, se Struga nuk ka qenë në vendin ku është tani. Udhëtari gjerman Han mendon se Struga e vjetër është shtrirë midis Strugës së sotme dhe Ohrit, njëzet minuta larg rrugës që sot shkon prej Ohrit në Strugë, përafërsisht në vendin ku gjendet sot fshati Misleshevë. Në Misleshevë nuk ka gjurmë të veçanta që do ta dëshmonin këtë dhe mendoj se Hani nuk gabon kur e kërkon Strugën e vjetër në Panagjyrishtë, në fushën afër Misleshevës, ku dikur ishin organizuar panairet e mëdha strugane. Këto panagjyre janë organizuar gjithmonë larg qyteteve. Sipas pozitës që Hani ia përcakton Strugës, rezulton që ajo të ketë qenë shumë më afër Ohrit, por është vështirë të mendohet që dy qytete të ngrihen në një distancë kaq të vogël.

Nuk ka plak e as fëmijë që nuk do t’ju rrëfejë për Strugën e vjetër. Ata e paraqesin qytetin e vjetër në distancë prej 15 minutash në jugperëndim të së sotmes, pranë liqenit. Thonë se qyteti i vjetër quhej Drimen, se ishte një qytet i madh me 16 000 shtëpi, me shumë shkolla dhe 24 kisha, me bezistane dhe me pallate të ngritura mbi shtylla. Ç’është e vërteta, edhe sot kur është moti i mirë dhe uji i kthjellët, shihen në liqen disa mure dhe kalldrëme. Para se të arrihet në vendin që e shënojnë si vendin e Drimenit të vjetër, ka shumë baltë, që struganët e quajnë Klimatica.

Mbi kishën, në rrugë është edhe një pus i mbuluar. Mbi të qëndron një gur i rrumbullakët i pusit me një vrimë në mes. Njerëzit flasin për atë gur se është unaza e Krajl Markut.

Afër Strugës shtrihet fusha e bukur e saj, më e gjera prej atyre që drejtpërdrejt e rrethojnë liqenin e Ohrit. Ajo është e gjerë tri orë e gjysmë, ndërsa e gjatë dy orë e më tepër. Drini dhe degët e tij, prej të cilave më e rëndësishmja është Suteska (Sateska), lumë që buron në Debërcë rrëzë malit të Turës dhe duke e prerë të tërë rrafshinën derdhet në bregun e djathtë të Drinit, mbi fshatin Veleshtë. Më herët ky lumë është derdhur drejt në liqen, dhe pasi ajo e ujiste fort tokën, atëherë struganët ia kanë ndryshuar rrjedhën, me qëllim që ajo ta ujisë tërë rrafshinën. Pranë fshatit Volinë, mbi lumin Sateskë është një urë guri. Kur nga Podmola ndahet rruga Ohër-Strugë për në Kërçovë, atëherë duhet shkuar luginës së këtij lumi për të vazhduar përgjatë tij.

Jo larg grykës së Sateskës, në Drin zbret lumi Matica, që në fakt si përrua lëshohet nga Belica dhe ajo forcohet me një burim tjetër që ndodhet afër fshatit Vevçan, ku ai del zhurmshëm prej një shpelle duke sjellë më shumë ujë, në bregun e majtë të Drinit.

Nga rrëza e Belicës, nga fshati Zagraçan, del dhe një përrua i vogël, i cili quhet Shum dhe jo larg Strugës derdhet po ashtu në Drin.

Kështu, fusha e ujitur e Strugës është një kullosë e mrekullueshme për bagëtinë dhe një hambar i mirë për popullsinë. Në fushë mbillen gruri dhe thekra, ndërsa pranë fshatrave, rrëzë maleve, mbillen misri. Toka është e kultivuar shumë mirë dhe në fushën e Strugës, veçanërisht, mund të vërehet një zhvillim i përparuar. Sot në fushën e Strugës shumë rrallë haset parmenda e drurit. Ka edhe shumë vreshta, por që ato shtrihen më tepër në zonën ndërmjet Drinit dhe fshatit Vevçan, ndërsa më të njohurat janë vreshtat rreth fshatit Veleshtë, ku prodhohet verë shumë më e mirë se vera e Ohrit.

Rrafshina e Strugës është gjithashtu mjaft e populluar. Në të janë tubuar shumë fshatra, por ato rrëzë maleve edhe pse janë të fshehura, janë më të bukura dhe më të mëdha. Këtu mendoj, në veçanti edhe për fshatrat e Drimkollit.

Prej fshatrave të Drimkollit më i madhi është Vevçani me 500 shtëpi, që në fakt është njëfarë qyteze e vogël. Në Vevçan është çarshia me 26 dyqane, janë dy kisha, njëra është më e madhe dhe ajo është ndërtuar 30 vjet më parë. Në breg, mbi Vevçan ndodhet një manastir shumë i vjetër i Shën Shpëtimtarit. Poshtë Vevçanit, duke shkuar në drejtim të fshatit Oktis, është një vend që popullata e këtushme e quan “Gurët e shkruar”. Ky është një breg i vogël i mbuluar me dru gështenjash. Ai që kalon andejpari, le ta vizitojë këtë vend, pasi unë nuk munda, sepse më pengoi një shi i madh që ra mu atë ditë kur mendova ta bëja një shëtitje në këtë zonë. Aty, afër Vevçanit, ndodhet një shpellë, prej ku fuqishëm buron përroi Matica, e cila prej aty quhet lumi i Vevçanit. Në bregun e majtë të lumit, drejt burimit, ndodhet një tjetër shpellë, në të cilën janë dy shenja të shputave të njeriut më të mëdha se shputa e zakonshme e njeriut.

Popullata thonë se ajo është shputa e këmbës së Kral Markos, i cili është hedhur prej andej, madje deri në Belicë. (Një rrëfim i tillë ekziston edhe lidhur me lumin e Lepencit, që albanologu Han e quan vetëm një trillim të thjeshtë). Gjithashtu fshat mjaft i madh i Drimkollit është edhe Labunishta, që numëron 250 shtëpi, prej të cilave 160 janë shqiptare. Nën Labunishtë, në fushën afër Drinit, janë rrënojat e një manastiri. Këtu dikur kishte qenë një pllakë e madhe me një mbishkrim serb dhe më thanë se ajo do të ishte shumë e çmueshme për mua nëse do të ishte ruajtur diku! Prifti i ndjerë, Stojan Kërstiq, nga Podgorci, ishte në gjendje të jepte shumë para për ta blerë këtë pllakë, por pllakën e bërë copë-copë dikush e kishte hedhur në Drin. Tradita në Labunisht thotë se aty ku ishte ai manastir, pak mbi rrënojat e tij ka ekzistuar një shkëmb i ashpër që edhe sot quhet Gradishtë. Nëse, sipas Hanit, do të largoheshim prej liqenit për të kërkuar Strugën e vjetër, atëherë vendi i saj do të ishte në brigjet e Drinit, ku ndoshta dikur ka qenë edhe një urë. Më duket se edhe Via Egnatia nuk e ka prekur pikën më veriore të liqenit të Ohrit, mbi të cilin tani shtrihet Struga, por diku më në veri ajo e ka kaluar urën mbi lumin e Drinit.