FESTA E EREMISË ME TË GJITHA RITET DHE KËNGËT NË TREVËN E STRUGËS
( Eremia 14 maj ) Dita e eremisë, si të gjitha festat zgjat dy ditë. Si ditën e arifesë ashtu edhe ditën e eremisë më 14 maj bëhen disa rite.
Më 13 maj në mbrëmje fëmijët i shkojnë rrotull shtëpisë duke bërë zhurmë me këmborë, legenë e teneqe të vjetra, për t’i trembur gjallesat e dëmshme si gjarpërinjtë dhe bollat. Duke shkuar rrotull shtëpisë ata këndojnë:
Eremi, deremi,
Gjithë të mirat,
Në shtëpi,
Të këqiat,
Në mulli.
Plasi gjarpri,
Me gjithë fëmi.
Ditën e arifesë duke shkuar rrotull shtëpisë e duke bërë zhurmë këndojnë për të larguar edhe “bythëzinjtë” pleshtat.
Eremi, deremi,
Gjithë të mirat,
Në shtëpi,
Bythëzinjtë,
Në mal të zi. Me këto veprime magjike do të përfundojë dita e parë apo dita e arifesë. Ditën e eremisë, më 14 maj, në mëngjes heretë pa lindur dielli, gratë sterile shkojnë te burimi në Shum që të lahen, besohet se po të lahen aty, ereminë tjetër do të kenë fëmijë. Te burimi shkojnë gra nga Ohri, Struga dhe nga tërë rrethi. Atje shkojnë të
“shërohen” edhe gra të besimeve tjera.
“Në Kavajë dhe në Tiranë gratë e shtërpa të çdo
besimi kanë zakon me shkue me u la në bregun e detit të Durrësit. Në këtë zakon unë shof nji nderim të Perëndeshës së plleshmeris dhe e lidhi Shën Marin me Zojën e vjetër lindore të plleshmeris dhe të dashunis. Të bamunit e frytmenis me anën e tallazevet të detit ma
kujton lindjen e Afërditës nga shkumba e detit”.
Ditën e eremisë te burimi tërë ditën rri një grua e
regjur për këtë punë, duke i shtirë ujë apo duke i larë ajo shqipton disa formula magjike. Është me interes të ceket se yshtësja ka caktuar edhe kohën e namatisjes qoftë te burimi në Shum, apo te Ujti i mirë në Frëngovë ose te Ujti i Ilaçit dhe te Guri i Grave në Ladorisht, herët në mëngjes
midis natës dhe ditës sepse: “Koha duhet të jetë e mbarë.
Ajo do të jetë e volitshme për shërim, në atë çast kur universi është i dobët dhe i sëmuri është i fortë. Universi është i dobët në çaste tranzicioni. Pacientet me qëllim që të zihet magjia do t’i japin asaj ndonjë dhuratë, si: këmishë, fustan, etj., sipas mundësive. Te shkëmbinjtë e burimit do të lënë nga një pe të cilin e heqin prej teshave të veta që kanë veshur. Në ujë hedhin para prej metali me qëllim që të mbesin aty të ligat
e tyre. Ditën e eremisë kulmi i gëzimit arrinë kur familje të tëra tubohen brigjeve të liqenit artificial në fshatin Shum. Me vete marrin drekë të begatshme, edhe sot e kësaj dite bëhet një panair i vërtetë. Kur është dita e mirë numri i njerëzve mund të arrijë edhe deri në dhjetëmijë
vetë. Të gjithë njerëzit e pranishëm te burimi e lajnë fytyrën, besohet se po ta lajnë fytyrën nuk do t’u dhemb koka gjatë tërë vitit.
Rite të tilla të ngjashme ditën e eremisë zhvillohen edhe rreth brigjeve të Drinit të Zi: “para se të lahen, secili person merr një copë bukë me kripë dhe një shenjë nga teshat e i hedh në Dri.”
Po këtë ditë gratë të cilat nuk lindin fëmijë, do të shkojnë të guri i grave në fshatin Ladorisht. Guri ka një vrimë të rrumbullakët në formë të unazës. Gratë hyjnë dhe dalin nga ana tjetër duke thënë tri herë këtë formulë magjike:
Yfsha bosh, dalça plot
Yfsha bosh, dalça plot
Yfsha bosh, dalça plot. Besohet se po të kalojnë nëpër unazën e gurit-nëpër Gurin e Biruar, vitin tjetër ato nuse do të kenë fëmijë. Përderisa gratë sterile shkojnë te burimi në fshatin Shum edhe te guri i grave në Ladorisht, njerëzit e tjerë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme shkojnë për derman, për
shërim edhe te “Varsa” në Frëngovë. Me ujin e këtij burimi lajnë fytyrën. Ata do të luten, duke i hedhur fytyrës ujë tri herë:
E Varsian pe tye dua derman.
E Varsian pe tye dua derman.
E Varsian pe tye dua derman. Uji i burimit të Shumit, uji i burimit të Varsës, dhe uji i mirë në Frëngovë, ujti i ilaçit në Ladorisht, si edhe uji i Drinit lidhen me kultin e ujërave. Këto rite lidhen me ritin kurativ dhe me ritin pllenues. Zakonisht yshtësja namatisjet i ka bërë dhe i bën në mëngjes herët ose në mbrëmje pasi perëndon dielli sepse siç vë në dukje studiuesi Ndoc Papleka... universi është në gjendje kritike, pra forcat keqdashëse që kanë
shkaktuar sëmundjen janë të shpërqëndruara, të tronditura.
Si rrjedhim duke u ballafaquar me to, me ndihmën e forcave mirëdashëse, yshtësja e ka më të lehtë të mposht sëmundjen dhe ka më shumë gjasa ta shërojë pacientin.
Larja e grave te burimet, hyrja dhe dalja e tyre te “Guri i Biruar” ka të bëjë me magjinë e bardhë sepse “në magjinë e bardhë, namatisja i nxiste forcat e mbinatyrshme për t’i dhënë njeriut mbarësi, fëmijë, pasuri.
Ditën e eremisë përgatisin drekë të begatshme, tërë dita kalon duke shëtitur dhe duke luajtur lojëra të ndryshme popullore.
