Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e arsyeton duke thënë se Qeveria po e çon vendin në drejtim të gabuar, duke e hequr, siç thonë, plotësisht dosjen evropiane të vendit dhe mundësinë për të vazhduar negociatat me BE-në. Akuzojnë po ashtu edhe për minim të mekanizmave që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit si dhe kapje të plotë të sistemit gjyqësor.
“Kjo gjendje jo normale krijon një nevojë të qartë dhe të pamohueshme tek qytetarët për rishqyrtim politik të Qeverisë. Vendit i duhet stabilitet afatgjatë politik që mund të sigurohet vetëm përmes mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale”, pohoi Bashkimi Demokratik për Integrim.
I të njëjtit mendim, se bashkë me lokalet duhet mbajtur edhe zgjedhje parlamentare, është edhe kreu i ASH-së ZiadinSela, pjesë e Frontit Europian.
“Sipas zhvillimeve që ndodhin, çdo hap politik që ndodh, i bën më të përafërta idenë, të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare bashkë me lokalet, dhe ne jemi për këtë opsion”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Nga koalicioni VLEN thonë se ajo që do të ndodhë në vjeshtë, është fitorja e tyre nëpër komuna. Për BDI-në thonë se për 20 vite kanë vjedhur, mashtruar dhe shkatërruar çdo shpresë shqiptare, ndërsa tani pa turp kërkojnë që qytetarët t’u japin edhe një shans.
“Në tetor, në zgjedhjet lokale, VLEN do t’i fitojë të gjitha komunat shqiptare! VLEN do të jetë në çdo komunë, në çdo institucion, me duar të pastra dhe me fytyrë të bardhë para qytetarëve.Koha e BDI-së ka marrë fund! Era e ndryshimit ka nisur dhe askush nuk e ndal dot më!”, thonë nga VLEN.
Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi nuk mendon se duhen zgjedhje të parakohshme.
“Nuk ka nevojë për panik. Shumica është e qëndrueshme. Mendoj se duhet vazhduar më tej të punohet”, u shpreh Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Ditë më parë, kryetari i opozitares LSDM VenkoFilipçetha se partia e tij është e gatshme e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nuk zbuloi nëse ata si opozitë do të kërkojnë të ato të mbahen bashkë me zgjedhjet lokale. Të enjten, në seancë për pyetje deputetësh, kryeministri HristijanMickoski nuk precizoi nëse planifikon që bashkë me lokalet të mbahen edhe zgjedhje parlamentare, por duke u përgjigjur në pyetjen e një deputeti u shpreh se do ta pranojë përgjegjësinë për Koçanin pasi të zgjidhen edhe rastet me spitalin modular, Llaskarcë dhe Besa Trans dhe se atëherë do ta kërkojë besimin e qytetarëve.
