Struga do i hedhi mbeturinat në Novaci të Manastirit!

Këshilli i Komunës së Manastirit miratoi njëzëri propozimin për bashkëpunim ndërkomunal për hapjen e deponisë rajonale në Novaci, e cila do të shërbejë për Manastirin, Prilepin, Krushevën, Dolnenin, Mogillën, Krivogashtanin, Demir Hisarin, Resnjën, Ohrin, Strugën, Kërçovën, Dibrin, Plasnicën, Qendër Zhupa, Vevçanin, Debarcën dhe Makedonski Brodin.

Ky vendim vjen pas iniciativës me të cilën Komuna e Novacit pranoi ndërtimin e deponisë rajonale për depozitimin dhe përpunimin e mbeturinave nga 18 komuna në jugperëndim të vendit. Po ashtu, u miratua edhe krijimi i një komisioni për themelimin e një ndërmarrjeje të përbashkët publike për menaxhimin rajonal të mbeturinave.

Hapja e kësaj deponie është diskutuar për më shumë se 10 vjet. Ajo do të ndërtohet pranë deponisë ekzistuese të egër në Meglenci, në një zonë ku më parë R.E.K. “Manastir” ka shfrytëzuar linjit. Me ndërtimin e saj synohet mbyllja e deponive të egra, të cilat përbëjnë një rrezik të madh mjedisor.

Kostoja e ndërtimit të deponisë dhe pajisjeve të nevojshme për depozitimin sanitar të mbeturinave është parashikuar të jetë 22 milionë euro. Megjithatë, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Manastirit, u ngritën dy çështje: rruga që do të përdoret nga kamionët për transportimin e mbeturinave dhe nëse do të sigurohen mjete të reja për këtë proces.

Përfaqësuesit e pushtetit lokal shprehën shqetësime për rritjen e trafikut dhe ndotjes në Manastir. Gjithashtu, ata theksuan nevojën për një rrugë të re që do të lidhë drejtpërdrejt zonën e deponisë, për të shmangur kalimin e kamionëve përmes qytetit.

Në përfundim, u vendos që Komisioni për Mjedisin të organizojë një debat publik brenda dy javësh për të informuar më gjerësisht qytetarët mbi projektin.