AKI dorëzon rezolutë për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës

Sot në Kuvend u dorëzua Rezoluta për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, si një iniciativë që buron drejtpërdrejt nga studentët e drejtësisë, të cilët kanë kërkuar respektimin e një të drejte të garantuar me ligj.

Përkundër faktit se studentët shqiptarë ndjekin dhe përfundojnë studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara në vend, atyre u pamundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare. Kjo situatë përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit.

Rezoluta e dorëzuar në Kuvend, e mbështetur nga deputetët shqiptarë të opozitës, kërkon nga institucionet kompetente – në veçanti nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni për Provimin e Jurisprudencës – që të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbatimin e plotë dhe të pandërprerë të ligjit, duke siguruar organizimin e provimit edhe në gjuhën shqipe.

Theksojmë se provimi i jurisprudencës është një provim profesional për verifikimin e njohurive juridike dhe nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mekanizëm diskriminues apo pengues për studentët mbi bazë gjuhësore.

Moszbatimi i plotë i ligjit krijon një situatë të pabarabartë dhe diskriminuese, duke kufizuar qasjen e barabartë në profesionin juridik për një kategori të tërë studentësh. Një praktikë e tillë është e papranueshme në një shtet që synon sundimin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore.

Përmes kësaj rezolute kërkohet përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret, me qëllim që të garantohet trajtim i barabartë dhe respektim i plotë i të drejtave gjuhësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të barazisë, drejtësisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës.