BDI: Debakël i Qeverisë, 30% rritje e çmimit të naftës

BDI sot ka reaguar lidhur me rritjen e ndjeshme të çmimeve të derivateve të naftës në vend. Nga atje akuzojnë se nuk ka asnjë intervenim nga Qeveria për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve, duke i lënë ata në mëshirë të fatit.

“Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht funksionon pa Ministri të Ekonomisë funksionale, ndërkohë që pritet rritje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve bazë, e kostove të transportit dhe, në përgjithësi, shtrenjtim i jetës për qytetarët.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njofton qytetarët se, nëse nuk implementohen urgjentisht masat e propozuara, çmimet në përgjithësi mund të rriten mbi 10%, gjë që do të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare në vend.

Kjo Qeveri nuk ka kapacitetet e duhura për të menaxhuar krizat që ndodhin edhe 2.000 kilometra larg vendit. Për këtë arsye, Qeveria duhet menjëherë të shkarkojë Ministrin e Ekonomisë, i cili duket se nuk ka as vizion e as plan për menaxhimin e krizave ekonomike.

Edhe njëherë i bëjmë thirrje Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht propozimet e BDI-së, të cilat do të kenë mbështetjen tonë të plotë nëse masat për mbrojtjen e qytetarëve procedohen dhe miratohen në Kuvend”, thuhet në reagimin e BDI-së.