Irani nis sulme të reja me raketa ndaj Izraelit, një raketë bie pranë Kudsit

Irani njoftoi se ka nisur një valë të re sulmesh me raketa ndaj objektivave izraelite dhe amerikane në rajon, ndërsa mediat izraelite raportuan se një raketë ka rënë në perëndim të Kudsit, transmeton Anadolu..

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), tha në një deklaratë se ka kryer sulme strategjike masive me raketa ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon si pjesë e valës së 35-të të operacionit të quajtur “True Promise 4”.

Sipas deklaratës së njësisë së marrëdhënieve publike të IRGC-së, sulmet përfshinë disa lloje raketash strategjike, përfshirë Fattah, Emad, Kheibar Shekan, Khorramshahr dhe Qadr.

Mediat izraelite raportuan se një raketë iraniane ka rënë në zonën e Beit Shemesh, në perëndim të Kudsit.

Gazeta e përditshme “Israel Hayom” tha se raketa ra në një zonë të pabanuar pranë qytetit.

Sirena për raketat hyrëse u dëgjuan në të gjithë zonën e Kudsit dhe në fushën bregdetare në Izraelin qendror pas zbulimit të nisjes së raketave.

Sirena u dëgjuan gjithashtu në rajonin e Haifas në veri të Izraelit pas nisjes së raketave nga Libani.

Policia izraelite tha se forcat e saj, policia kufitare dhe njësitë për çaktivizimin e bombave po kryenin kërkime të gjera në të gjithë distriktin e Kudsit për të gjetur mbeturinat dhe predhat e raketave.

Tensionet u përshkallëzuan në të gjithë Lindjen e Mesme më 28 shkurt kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit që vranë më shumë se 1.200 viktima, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.

Teherani është përgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që shënjestrojnë Izraelin, si dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete amerikane.