Del në ankand “Audi” i Merkos, çmimi fillestar 21.800 euro

Komuna e Strugës njofton se më datë 16 të këtij muaji do të mbahet ankandi për shitjen e autoveturës Audi A6, me çmim fillestar prej 1.344.636 denarë, gjegjësisht rreth 21.800 euro.

Sipas shërbimit për shtyp të komunës, ankandi do të nisë në orën 10:00 në faqen e internetit e-stvari.mk.

​Mjetet e përfituara nga shitja e makinës do të përdoren për të blerë një furgon, i cili do të shërbejë për nevojat e administratës komunale dhe klubeve sportive të qytetit, thuhet në kumtesë.

​Komuna gjithashtu informon se shpallja nr. 1/2026 për shitjen e sendeve të luajtshme – automjet udhëtarësh përmes ankandit elektronik, është botuar edhe në Gazetën Zyrtare.

​”Ftojmë të gjitha palët e interesuara të marrin pjesë në ankand. Aty do të publikohen të gjitha informacionet për automjetin, si dhe udhëzimet për aplikim,” njofton Komuna e Strugës.

Makina e tipit Audi A6, të cilën Komuna e Strugës e bleu për 67.000 euro në kohën kur kryetar ishte Ramiz Merko, shkaktoi debate të ashpra në opinion për shkak se u ble në një periudhë kur llogaria e komunës ishte e bllokuar. Ndaj Merkos u zhvillua edhe një proces gjyqësor, por gjykata në Strugë vendosi se nuk ka faj për blerjen e automjetit luksoz.