Reagime të shumta nga udhëheqësit rajonalë dhe botërorë lidhur me sulmet amerikane e izraelite ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit me sulme në Lindjen e Mesme.
Maqedonia e Veriut radhitet krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ne mbështesim aleatët tanë amerikanë në përballjen e kërcënimeve destabilizuese në Lindjen e Mesme”, shkroi në rrjetet sociale Ministri i Jashtëm Timço Mucunski.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin dhe vendet arabe që siç tha kërkojnë paqe, dhe mbështet SHBA, ndërsa paralajmëron se do të klasifikojë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike si një organizatë terroriste.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke shkruar në platformën X se “ka ardhur ora e lirisë për popullin e Iranit”, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Ngjarjet në Iran i ka komentuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ka theksuar se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i quajti zhvillimet “të rrezikshme”. Mbrojtja e civilëve dhe e drejta ndërkombëtare humanitare është një përparësi, tha ajo në X.
Arabia Saudite, ka dënuar sulmin siç e ka quajtur të agresionit tradhtar iranian, duke theksuar se përbën shkelje flagrante të sovranitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit, Kuvajtit, Jordani dhe Katarit.
Qeveria kineze shprehu shqetësim të thellë për sulmet ushtarake ndaj Iranit dhe bëri thirrje për t’i ndalur menjëherë veprimet ushtarake. Kina theksoi se sovraniteti dhe integritetit territorial i Iranit duhet respektuar.
Zëvendës presidenti i Këshillit të sigurisë në Rusi, Dmitrij Medvedev, ka kritikuar ashpër veprimet e presidentit amerikan Donald Tramp, duke vlerësuar se negociatat me Iranin ishin vetëm ‘një mbulesë’ “Paqebërësi e ka treguar përsëri fytyrën e tij. Të gjitha negociatat me Iranin ishin një operacion i fshehtë. Askush nuk dyshonte për këtë. Askush nuk kishte ndërmend të negocionte ndonjë gjë”, tha Medvedev.
Presidenti francez Emanuel Makron bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai tha se përshkallëzimi është i rrezikshëm për të gjithë dhe duhet të ndalet.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në X se “regjimi në Teheran kishte çdo mundësi për të parandaluar një skenar të dhunshëm”, duke shtuar: “Ne riafirmojmë qëndrimin tonë të palëkundur: i urojmë siguri, prosperitet dhe liri popullit iranian, si dhe stabilitet dhe prosperitet Lindjes së Mesme”. /Alsat.mk
