Qeveria “Kurti 3” ka nisur zyrtarisht punën, pas konstituimit dhe votimit në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, në mandatin e tij të tretë, ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar, duke theksuar se prioritetet do të jenë zhvillimi ekonomik, forcimi i rendit dhe ligjit, integrimi evropian dhe mirëqenia sociale. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues, pas më shumë se një viti bllokim politik. Kallas uroi kryeministrin Albin Kurti, derisa tha se ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, si dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Mbrëmë u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re. Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional. Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate. /Alsat.mk
