I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Stive Uitkof, dhe ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragçi, do të takohen më 6 shkurt në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që synon shmangien e luftës. SHBA-ja po kërkon një marrëveshje që do të kufizonte programin e raketave balistike të Teheranit dhe do t’i jepte fund mbështetjes së Republikës Islamike për grupet e armatosura në Lindjen e Mesme. Për të arritur një marrëveshje, të dërguarit amerikanë dhe iranianë do të duhet të kapërcejnë disa pengesa kyçe. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Irani ta ndalë plotësisht pasurimin e uraniumit dhe të heqë dorë nga rezervat e tij prej rreth 400 kilogramësh uranium të pasuruar në nivel të lartë, hapa që do ta pengonin Teheranin të krijonte një armë bërthamore. Më parë, Teherani i kishte refuzuar këto kërkesa, por ekspertët thonë se mund të bëjë lëshime duke pasur parasysh pozitën e tij të dobët në negociata. Udhëheqja klerikale e Iranit ndodhet në pikën më të dobët në dekada, pasi po përballet me trazira të paprecedentë dhe kolaps ekonomik brenda vendit dhe me një grumbullim masiv të ushtrisë amerikane pranë kufijve të shtetit. /Alsat.mk
